Berisha: Statuti i PD do zbatohet dhe analiza do jetë e plotë, kryetari që humbet zgjedhjet kalon në votëbesim

Ish-kryeministri Sali Berisha ka deklaruar se do të kalojë në votëbesim. Në një komunikim me mediat, Berisha u shpreh se statuti i PD do zbatohet dhe analiza do të jetë e plotë, por fillimisht, shtoi ai, do të mbrohet vota.
“Problemi i karriges është i zgjidhur me statutin e PD-së. Kryetari që humbet zgjedhjet, kalon në votëbesim.
Kjo do ndodhë edhe me zgjedhje të vjedhura. Unë nuk kam nevojë për asnjë lloj alibie se statuti do të zbatohet pikë për pikë.
E gjithë përpjekja ime bëhet si një detyrim ndaj demokracisë dhe ndaj të gjithë atyre qytetarëve që kanë votuar kundër sistemit ose që kanë pasur frikë të votojnë ndaj tij.
Një shoqëri që nuk zhvillon zgjedhje të lira, nuk ka të ardhme”, tha Berisha ndërsa u bëri thirrje demokratëve që të bashkohen. Berisha shtoi se nuk njeh asnjë lloj strukture paralele të PD-së, ndërsa u kërkoi demorkatëve që të ulen të diskutojnë.
“Nuk kam asnjë koment për këtë, përveç komentit që unë ftoj të gjithë deputetët e PD të bashkohen dhe të vazhdojmë betejën për zgjedhjet e lira. Ne nuk mund të njohim asnjë lloj strukture paralele të PD. Ne i ftojmë të gjithë deputetët të ulen, të diskutojnë. Ne jemi të hapur ndaj tyre, por ka rregulla, ka statute“, tha ai.
Ish-kryeministri Sali Berisha u ka bërë thirrje mediave që të shohin me kujdes hartën elektorale dhe të shohin se partia e Tom Doshit është dëshmia më e zezë dhe e turpshme e blerjes së votës.
“Ata punonjës të medieve, që kanë minimumin e ndërgjegjes profesionale, i ftoj për një moment të hedhin sytë në hartën elektorale, në rezultatet elektorale dhe do gjejnë se partia e Doshit është tullumbacja më e madhe e këtyre zgjedhjeve.
Partia e drejtuar nga një njeri që nuk ka njeri prej jush që të mbajë mend një fjalë politike të shqiptuar prej tij, se ai flet vetëm me gjuhën e parave.
Të jeni të sigurt se Rama ka përdorur shumëfishin e tij. Ju bëj thirrje punonjësve të medias, shikoni rezultatin e partisë së Doshit, dëshmia më e zezë, më e turpshme e blerjes së votës.
Flet vetë. 13 milionë euro ka fituar vetëm një ndërmarrje të shtetit Tom Doshi. 13 milionë euro nga Edi Rama”, tha Berisha, teksa shtoi se si kurrë në historinë e vendit, administrata publike u shndërrua në një polici politike e procesit elektoral.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




