Ankimimi për rezultatin e zgjedhjeve vendore, afatet ligjore, procedura kundër vendimeve të KZAZ-ve

Politikë | 3 vite më parë

Disa kandidatë të koalicionit “Bashkë Fitojmë” si në Kuçovë, Rrogozhinë etj., kanë deklaruar se do të ankimojnë vendimet e KZAZ-ve, sipas të cilave, i kanë nxjerrë ata humbës në garën për kryebashkiak në zgjedhjet vendore të 14 majit.

Kodi Zgjedhor përcakton se çdo parti politike, pjesëtare ose jo e një koalicioni, dhe kandidati i propozuar nga zgjedhësit kanë të drejtë të ankohen në KQZ kundër vendimeve të KZAZ-së, që, sipas tyre, cënojnë interesat e tyre të ligjshëm.

Kundër vendimit të KZAZ-së për shpalljen e rezultatit për zgjedhjet e organeve të njësive të qeverisjes vendore nën juridiksionin e saj, mund të paraqitet ankim në KQZ jo më vonë se 5 ditë nga shpallja e vendimit për miratimin e Tabelës Përmbledhëse të Rezultatit të Zonës Zgjedhore.  

Ankimi ndaj vendimit mund të përmbajë ndryshimin e Tabelës Përmbledhëse të Rezultatit të Zonës Zgjedhore ose/dhe pavlefshmërinë e rezultatit në një apo disa qendra votimi.

Kundër vendimit të KQZ-së për miratimin e Tabelës Përmbledhëse të Rezultatit të Zonës Zgjedhore, mund të paraqitet ankim po në KQZ, jo më vonë se 5 ditë nga shpallja e këtij vendimi.

Ankimi ndaj vendimit mund të përmbajë ndryshimin e Tabelës Përmbledhëse të Rezultatit të Zonës Zgjedhore ose/dhe pavlefshmërinë e rezultatit në një apo disa qendra votimi. Në çdo rast ankimi për pavlefshmëri, dhe ankimi për ndryshimin e tabelës së rezultatit paraqitet në të njëjtën kërkesë ankimore. Në kërkesë përcaktohen qendrat e votimit, për të cilat kërkohet ndryshimi i rezultatit apo pavlefshmëria.

Në shqyrtimin e kërkesave ankimore të paraqitura, KQZ-ja shqyrton të gjithë problematikën e tyre, përfshirë edhe pavlefshmërinë e zgjedhjeve në qendra të caktuara votimi, pa u kufizuar në objektin e kërkimit të kërkesës ankimore të paraqitur nga subjekti zgjedhor.

Llogaritja e afateve

Në të gjitha rastet kur afatet në këtë Kod llogariten me orë, organi administrativ i ngarkuar nga Kodi Zgjedhor është i detyruar të shënojë në aktin administrativ orën e shpalljes së aktit. Në rast të kundërt, afati llogaritet duke filluar nga ora 8: 00 e ditës pasardhëse. 

Afatet që në këtë pjesë janë përcaktuar me ditë llogariten duke përjashtuar ditën në të cilën lind e drejta e ankimit ose detyrimi administrativ. Në rast se plotësimi i afateve, bie jashtë orarit zyrtar të punës, të përcaktuar në vendimin e KQZ-së, atëherë ecja e afatit pezullohet në orën e mbarimit të orarit zyrtar dhe rifillon në orën e fillimit të orarit zyrtar në ditën pasardhëse.

Në rast se plotësimi i afateve bie në ditët e pushimeve ose festave zyrtare, afati fillon në ditën më të parë pasardhëse të punës. Për afatet e ankimit, sipas kësaj pjese, nuk mund të ketë rivendosje në afat.

Forma dhe përmbajtja e ankimit kundër vendimeve të KZAZ-së 

Ankimi zgjedhor kundër vendimeve të KZAZ-së ose vendimit të KQZ-së, do të duhet të paraqitet nga subjektet në formën e kërkesës ankimore dhe duhet të përmbajë elementet e mëposhtme:

a) emrin e plotë të subjektit zgjedhor ankues dhe adresën e tij;

b) referimin te vendimi që ankimohet;

c) bazën ligjore;

ç) përshkrimin e shkurtër të shkeljes së pretenduar;

d) përshkrimin e fakteve, argumenteve dhe dispozitave ligjore, tek të cilat ai mbështet ankimin;

dh) tregimin e provave, të cilat kërkon të marrë gjatë procesit të shqyrtimit të ankimit, si dhe burimin e tyre;

e) datën dhe firmën e ankuesit.

Subjekti zgjedhor ankues duhet të depozitojë, së bashku me ankimin, edhe vendimin e plotë, ndaj të cilit ushtron ankimin, me përjashtim të rastit kur KZAZ-ja nuk merr vendim.

Kërkesat ankimore depozitohen në selinë e KQZ-së. KQZ-ja krijon dhe mban një regjistër të  posaçëm për regjistrimin e kërkesave  ankimore.  Regjistri i Ankimeve Zgjedhore është i vlefshëm vetëm për zgjedhjet në proces.

Regjistri i Ankimeve Zgjedhore përmban:

a) numrin rendor të kërkesës ankimore;

b) datën dhe orën e paraqitjes së ankimit;

c) subjektin ankimues;

ç) objektin e ankimit;

d) numrin dhe llojin e dokumenteve që i bashkëngjiten kërkesës ankimore.

KQZ-ja nuk mund të refuzojë për asnjë shkak regjistrimin e kërkesave ankimore. Regjistri i Ankimeve Zgjedhore është vetëm për zgjedhjet e radhës. Hapja e Regjistrit të Ankimeve Zgjedhore për zgjedhjet e radhës bëhet jo më vonë se 24 orë nga shpallja e rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve pararendëse

/rtsh.al/ a.meta/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme