Rahim Spahiu fiton në Dibër, PS merr dhe Bulqizën, Matin dhe Klosin

Rahim Spahiu i cili u zgjodh si kryetar i bashkisë së Peshkopisë në zgjedhjet e parakohshme të vitit 2022 do të drejtojë Dibrën edhe për 4 vitet e ardhshme.
Spahiu fitoi në zgjedhjet e 14 majit me 16 304 vota, kundrejt kandidatit të koalicionit “Bashkë Fitojmë” Ismail Uka që mori mbi 6500 vota. Ndërkohë kandidati i PD-së së drejtuar nga Enkelejd Alibeaj, Naim Gazidede ka marrë mbi 1264 vota.
Me fitoren e Peshkopisë çon në 4 numrin e bashkive që do të drejtohen nga e majta në qarkun e Dibrës.
Në Mat ka fituar Agron Malaj me 8525 vota, kundrejt kundërshtarit të tij nga koalicioni “Bashkë Fitojmë” që mori 4370 vota.
Në Klos Valbona Kola e PS-së fitoi me 4466 vota kundrejt Bedri Hoxhës të koalicionit “Bashkë Fitojmë” që mori 3499 vota.
Në Bulqizë Festime Mjeshtri ka fituar bindshëm me 8364 vota përballë Dëfrim Fikut nga Koalicioni “Bashkë Fitojmë” i cili ka marrë 5514 vota.
Belinda Balluku, njëherësh drejtuese politike në këtë qark tha se në Dibër janë bashkuar të majtë dhe të djathtë pasi besojnë se PS do të bëjë më të mirë këtë qark.
“Dibra meriton të ketë vëmendjen e PS-së dhe qeverisë. Në Dibër janë bashkuar të majtë dhe të djathtë pasi besojnë se do ta bëjmë më të mirë Dibrën”, deklaroi Balluku.
Kandidati i PS-së në bashkinë e Peshkopisë, Rahim Spahiu premtoi se do t’u shërbente të gjithë qytetarëve pa dallime partiake.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




