14 maji/ Rama: SHBA iu kërkon demokratëve të largojnë nga skena politike, Sali Berishën

Politikë | 4 vite më parë

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se partnerët ndërkombëtarë kanë kërkuar që dyshja Berisha-Meta të largohen nga skena politike shqiptare.

Duke folur nga Fieri, ku Armando Subashi kërkon mandatin e radhës për drejtimin e bashkisë së këtij qyteti, Rama tha se Berisha u shpall nongrata pasi ka minuar demokracinë dhe ka kërcënuar sigurinë kombëtare. Për këtë arsye, Rama iu është drejtuar demokratëve se me votën e tyre ata duhet të largojnë nga skena politike më 14 maj dyshen Berisha-Meta.   

“Ndërkombëtarët, pa të cilët Kosova nuk do të ekzistonte si shtet i pavarur na e thonë me shkrim, na e thonë me vulë, na e thonë me zë dhe figurë dhe na e përsërisin, që ky individ…

Ju e dini për kë është fjala, për Saliken, Salike floriri. Ky individ i cili ka bërë korrupsion madhor, ka minuar demokracinë shqiptare, ka kërcënuar sigurinë kombëtare është i padëshirueshëm, prandaj na e hiqni nga sytë se nuk duam të na e nxirrni më përpara”, u shpreh Rama.

Sipas Ramës, Fieri e ka refuzuar gjithmonë dyshen politike Berisha-Meta. Ndërsa theksoi se mesazhi i ndërkombëtarëve për t’i larguar nga skena politike shkon për demokratët dhe jo socialistët.

“Ne çfarë bëjmë, ne socialistët kemi ditur çfarë të bëjmë me këtë njeri denbabaden, dhe Fieri, kryeqyteti i socialistëve ia ka parë faqen e zezë edhe atëherë kur shumica kujtonte se e kishte të bardhë dhe s’e ka pranuar kurrë. E ka refuzuar gjithmonë. Kështu që, ky mesazh nuk është për socialistët, nuk është për progesistët, nuk është për shumicën por është për ata shqiptarë që janë njësoj si ne, që janë njësoj si ju.

Është për ata që i hapin dyqanet bashkë me ju, socialistët, të djathtët që merren me biznes, për ata prindër që çojnë fëmijët në shkollë bashkë me ju”, ka theksuar Rama.

Rama vuri në dukje se ajo çfarë i ndan socialistët, demokratët e vërtetë me mbështetësit e Berishës është orientimi i tyre kah Perëndimit dhe Amerikës.

“Ata duhet t’u japin përgjigje kërkesës së aleatëve tanë, të cilët thonë këtë individ, këtë fytyrë të damkosur me vulën e nongratës, mos na e votoni dhe mos na e nxirrni më përpara sepse e kemi problem dhe përgjigjen ata duhet t’ia japin jo ashtu siç predikon Salike floriri se “ky është vend Sovran, ju jeni njerëz të lirë, këtu ka rëndësi se çfarë mendoni populli, vota etj., etj.,” sepse këto janë broçkulla.

Ata përgjigjen duhet t’ia japin duke bërë analizën e thjeshtë pse janë të djathtë ata. Ka shumë të djathtë në Fier dhe besnikë të paepur të Partisë Demokratike.

Çfarë i ndau ata me pjesën tjetër e shohin veten tek e majta. I ndau pikërisht Amerika, i ndau historia e gjyshërve dhe stërgjyshërve të tyre, të cilët nuk deshën as komunizmin dhe as Moskën, as Kremlinin, por donën Amerikën dhe Perëndimin”, theksoi Rama.  

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme