Berisha: Kavaja do të qëndrojë në krye të fitores edhe kundër këtij monizmit të ri!

Politikë | 4 vite më parë

Kreu i grupimit të Rithemelimit të PD Sali Berisha ka shprehur bindjen se Kavaja do të jetë sipas tij “në krye të fitores kundër monizmit të vendosur nga Edi Rama”.

“Kavaja nuk mashtrohet, ky qytet ka marrë vendimin përfundimtar, të votojë ndryshimin, të shpëtojë Kavajën nga kthetrat e mafies më të rrezikshme që ka njohur vendi në këto 30 vite” tha zoti Berisha gjatë një takimi me përkrahësit e tij në Kavajë, në mitingun përmbyllës të fushatës për zgjedhjet lokale të 14 majit.

“Kavaja ishte e para, që u çlirua me gjakun e Josif Budës, heroizmin, trimërinë e burrave dhe grave të saj në vitin 1991. Kavaja do të qëndrojë në krye të fitores edhe kundër këtij monizmit të ri” ju referuar zoti Berisha historisë së qytetit pas rënies së komunizmit .

“Sot Shqipëria është në njërin prej pushtimeve më të egra. Pushtues janë edhe ata që shkelmojnë mbi vlerat, mbi liritë dhe të drejtat e qytetarëve të tyre, ata që plaçkisin qytetarët e tyre.Askush gjer më sot në historinë e këtij vendi nuk ka plaçkitur më shumë se regjimi i Edi Ramës, regjim që ka grumbulluar të gjitha pushtetet në duart e tij” akuzoi Berisha kreun e PS dhe kryeministrin e vendit Edi Rama.

Sipas tij “Edi Rama nuk vjen dot të dalë para jush, së bashku me mua, sepse ka tetë vite, e nisi karrierën pasi u akuzua nga OSBE se u ka vjedhur shqiptarëve 200 milionë euro dhe nuk e kundërshtoi dot. Vazhdoi i pangopur të firmosë 420 milionë euro djegësat që nuk ekzistojnë kurrë. Vazhdoi i pangopur të rrënojë portin e Durrësit. Vazhdoi i pangopur të udhëtojë me avion në dispozicion me dhomë gjumi dhe të shpenzojë 22 milionë euro”.

Zoti Berisha tha se kandidati Fisnik Qosja sjell programin më të mirë për Kavajën dhe do tu japi përgjigjen problemeve të qytetarëve.

 

/ rtsh.al /


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme