Kuçovë, Rama: Vota për kandidatët e “non-grata“-s, rrezikon investimet e huaja në vend

Kryeministri Edi Rama, njëkohësisht edhe kryetar i PS-së, gjatë një takimi elektoral me zgjedhësit në Kuçovë, në kuadër të zgjedhjeve vendore të 14 majit, nënvizoi se votimi për personat ‘non-grata’, të cilëve tashmë u ka mbyllur derën edhe Evropa, do të vejë në rrezik jo vetëm zhvillimin ekonomik, por edhe investimet e huaja në vend.
Rama nënvizoi se qëllimi i opozitës nuk është zhvillimi i bashkive, por marrja peng e tyre, ndaj ftoi qytetarët e Kuçovës të votojnë për kandidatin, Kreshnik Hajdari, i cili rikandidon për kryebashkiak në emër të PS.
“Marrëdhëniet me partnerët ndëkombëtarë janë shumë të rëndësishme. Kjo Shqipëri që po rritet sot ekonomikisht është edhe falë investimeve të tyre. Por, nëse marrëdhëniet me ta lëndohen, gjërat do të bëhen më të vështira. Çdo familje mund t’i bjerë fatkeqësia, që t’i dalë ndonjë “dru i mbrapshtë”. Por familja merr masa që të mos kthehet në problem për të gjithë popullin. Atyre nuk u hapet asnjë derë në Evropë. Cilët donatorë do vijnë këtu të financojnë? Në cilën bashki? Edhe kur nuk ka qenë kështu situata, ju ftoj të më tregoni një bashki që ata e patën dhe e çuan përpara”- deklaroi Rama.
Kryesocialisti nënvizoi se më 14 maj është një zgjedhje e qartë, sepse nga njëra anë është PS me kandidatët e saj, dhe nga ana tjetër janë ata të “faqes së zezë”.
“Asnjë nga kandidatët tanë nuk ka rënë nga qielli, por kandidatët e tyre janë faqja më e zezë ndër shqiptarë. Janë kandidatët e faqes së zezë të atyre të dyve që i kanë marrë dhe i kanë vënë për t’u sulur nëpër bashkitë për t’i marrë peng. Janë kandidatët e faqes së zezë, të një gërdalle 80-vjeçare”-komentoi Rama.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




