Alibeaj: PD ra nga pushteti në 2013, që kur Berisha bëri koalicion me Metën në 2009

Politikë | 4 vite më parë

Kryetari në detyrë i PD-së, Enkelejd Alibeaj, e sheh zgjidhjen e “lakut” që, sipas tij, ka mbytur jetën politike, zhvillimin ekonomik nga dyshja Rama- Berisha, me krijimin e një alternative të re.  

Këtë qëndrim, Alibeaj e bëri publik gjatë një takimi elektoral në Pogradec, ku kërkoi votat për listën e këshilltarëve bashkiakë të PD-së në zgjedhjet vendore të 14 majit.

“E keqja më e madhe e këtij vendi sot është qeveria. Këtu nuk ka asnjë lloj diskutimi. Qeveria, e cila përfaqësohet nga një pinjoll i diktaturës, Edi Rama. Por çfarë ka bërë ai? Nuk ka bërë gjë tjetër veçse ka vazhduar me të njëjtin mentalitet, të mbajtjes së pushtetit në të njëjtën frymë siç edhe Sali Berisha e ka bërë dikur. Kjo është e vërteta.”- theksoi Alibeaj.

Sipas tij, shpëtimi i Shqipërisë nga kjo mbytje që i ka bërë politika e vjetër, nuk bëhet me revolucion, pasi është një instrument bolshevik.

“Të djathtët nuk përdorin mjete të majta kundër së majtës, ndryshe nuk do të ishin të djathtë. E keqja më e madhe sot është regjimi i Edi Ramës, që është një regjim sovjetik. Mungesë lirie, mungesë hapësire, shantazh. Edhe sot në fushatë vazhdon presioni i shtetit ndaj njerëzve. Mënyra më e mirë është që të nxjerrim një alternativë tjetër.”- theksoi Alibeaj.

Sipas tij, rënia e PD-së nga pushteti e ka zanafillën që në momentin kur Berisha bëri koalicion me Metën.

“Në 2013-ën pse ramë ne nga qeveria? Ramë nga qeverisja se në 2009-ën Sali Berisha beri aleancë me Ilir Metajn. Në këtë moment qeverisja jonë mori poshtë e më poshtë. Virusi i korrupsionit u fut në qeverisjen tonë në atë kohë dhe filloi të ndiqej edhe nga njerëzit tanë.”- deklaroi Alibeaj.

/rtsh.al/

 

  

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme