Një ditë me Igli Carën, kandidati që gëzon mbështetjen e të gjithë opozitës

Politikë | 4 vite më parë

Igli Cara është kandidati i vetëm i opozitës për zgjedhjet e 14 majit në Durrës.

Zoti Cara dha një intervistë për RTSH ku shpalosi ambicien e tij për qytetin bregdetar më të rëndësishëm për vendin.

Z. Cara, mbështetja ndaj jush e të gjithë rrymave të opozitës, a është një faktor që ju favorizon në garë z. Cara?

Igli Cara: Në fakt nuk janë vetëm rrymat por bëhet fjalë për një konsesus të tërë opozitar. Të gjithë faktorët politikë ndryshe nga herët e tjera janë të gjithë bashkë. Ky është një ogur i mirë dhe një shenjë pozitive për qytetin e Durrësit.

Pse duhet ta votojnë durrsakët Igli Carën?

Igli Cara: Në periudhë fushatash qytetarët duhet të shohin debat, pse jo edhe mendime të ndryshme të kandidatëve. Zonjën Sako e kam ftuar në debat që qytetarët të dinë se çfarë ka ndodhur në këto vite dhe çfarë do të ndodhë në 4 vitet e ardhshme që ato ta kenë më të lehtë për të marrë vendimin e tyre për të votuar. Ne kemi një qytet të tërë të betonizuar në të cilin qytetarët nuk marrin shërbime. Banesat e tërmetit janë papërfunduara, kemi mungesë të ujit të pijshëm dhe nuk kemi asnjë park për fëmijët. Qyteti i Durrësit të gjithë e dinë se është i pajetueshëm sepse ka një trafik të rënduar.  Ka një mungesë të parkimeve. Nuk ka as një parkim nëntokësor.   Kohët e fundit është marrë një vendim nga qeveria dhe u mbyllën plehrat. Mirë është bërë që janë mbyllur se nuk jam kundër asaj zone që ishte zonë me rrezikshmëri të lartë nga djegia e plehrave dhe tymrave. Por kjo nuk do të thotë që në emër të mbylljes së landfillit atje të bëhet vjedhje. Sot për trajtimin e mbetjeve dhe inceneratorin e Sharrës në Tiranë, fatura është e madhe. Pse nuk është gjetur një mundësi tjetër që t’i shkurtojmë shpenzimet. Unë e kam planin, dhe plani është konkret. Duhet të ndërtohet një stacion transferimi që e quajmë ne. Ky stacion transferimi që e quajmë ne do të thotë që plehrat të mblidhen dhe të zhvendosen dhe fillimisht të grupohen në një vend. Kjo do të ulte koston e transportit.

Ju ia njihni palës tjetër dy gjëra që ka arritur, qoftë planin e zhvillimit urban që do të thotë se nuk vini nga një politikë nihiliste…

Igli Cara: Jo nuk jam nihilist. Me thënë të drejtën kur bëhen dy gjëra të mira, por kjo nuk mjafton. Nuk mjafton të thuash që kam nisur një proces dhe më pas ta përdorësh për vjedhje. Kam projekte për bujqësinë se Durrësi është i madh, është Ishmi, Manza, Sukthi e Katundi i ri etj., bëjnë afërsisht 38 për qind të popullsisë dhe është një zonë e cila duhet ndihmuar.  Në këto vite nuk ka udhëhequr Partia Socialiste por ka udhëhequr Dako me bandën e tij.

Duke përmendur z. Dako, ju përjashtoni kandidaten që është realisht në garë. A mendoni se kjo strategji është e gabuar?

Igli Cara: Jo, sepse i gjithë Durrësi e di që Dako dhe Sako janë në simbiozë. Janë vazhdim i njëri-tjetrit, nuk ndryshon asgjë.

Pse duhet që të rinjtë të qëndrojnë në Durrës dhe a e gjejnë veten ata te platforma juaj?

Igli Cara: Në vitin 2006 ne krijuam universitetin e Durrësit, është rritur, kemi bërë investime, dhe sot universiteti ka 18 mijë studentë. Të krijojmë qendrat të trajtimit profesional. Këto do të jenë të gjitha falas. Për shërbimin urban, karta e studentit do të jenë funksionale realisht. Bashkia do të ketë shumë të rinj në administratën dhe kudo. Një fond i veçantë do të jetë për ato që quhen ekselentët. Durrësi duhet të kthehet në një pol të rëndësishëm për turizmin. Unë shpresoj shumë që data 14 maj të jetë data që qytetarët të kuptojnë se është një datë për familjen e tyre. Nuk bëhet fjalë thjesht për një emër.

/rtsh.al/

Gazetare: Sonila Agostini


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme