Veliaj për RTSH: Mandati i tretë do jetë i kapilaritetit. Presim të ketë surpriza në Kavajë dhe Kamëz

Politikë | 4 vite më parë

Kandidati i PS për bashkinë e Tiranës, Erion Veliaj, në një intervistë për RTSH, e ka cilësuar një sprint fushatën elektorale për zgjedhjet vendore. Veliaj u shpreh se Partia Socialiste e ka treguar prej vitesh se është në një fushatë permanente, dhe se strategjia e saj për mbjellje peme, në vend të mbjelljes së debateve dhe sherreve, ka qenë më e mira.

“Ka qenë një sprint, fushata shumë e bukur. Por unë mendoj se ne kemi treguar prej vitesh se jemi në atë që është fushata permanente.

Besoj se ka qenë strategji e mirë për ta trajtuar të gjithë kohën në bashki si një fushatë permanente.

Si ritëm nuk ka shumë ndryshim, por si gjeografi po. Duhet të jesh në disa territore, pra jo gjithmonë në të njëjtin kantier.

Ka qenë një fushatë nga më të qetat, ndoshta dhe për faktin se u zgjodh kjo strategjia më mirë të mbjellim pemë, se sa debate dhe sherr”, tha ai në intervistën me gazetaren Sonila Agostini. 

Veliaj ka paralajmëruar surpriza në Kavajë dhe Kamës më 14 maj. Ai u shpreh më tej se, PS do të konfirmojë bindshëm rezultatin që ka pasur në Rrogozhinë dhe Vorë.

“Për PS, mendoj se ne do të konfirmojmë bindshëm rezultatin që kemi pasur në Rrogozhinë dhe Vorë dhe ndërkohë presim të ketë surpriza në Kavajë dhe Kamëz.

E di që në 2019 u morën jo detyrimisht me një betejë të fortë sepse opozita ju shmanga asaj beteje, por tani që kemi një betejë dhe ballafaqim të mirëfilltë, është momenti të provojmë se ne nuk tolerojmë më shprehjen se “dikush e ka pasion, apo disa komunitete janë mish për top vetëm për të mbushur autobuzat për protestë.

Unë besoj se Kavaja dhe Kamza kanë treguar shumë personalitet dhe kanë treguar se kanë aspirata si qytetarët e Tiranës dhe gjithë Shqipërisë.

Që tani e shohim Kavajën dhe Kamzën si aleatë të ndryshimit, nuk do falim asnjë votë. Është betejë dhe për zemrat e njerëzve”, u shpreh ai, teksa ka paraqitur dhe vizionin për mandatin e tretë.

Veliaj theksoi se mandati i tretë do të jetë mandati i kapilaritetit dhe i rrugicave fundore.

“Ajo që po bëjmë sot është vizioni ynë për Tiranën e mandatit të tretë, me pjesën e saj moderne, parashikojmë që gjithë kantieri të zhvendoset te Bulevardi i Ri, me kulla dhe ndërtesa ultramoderne.

Do ruajmë pjesë të vjetra të qytetit.

Ky do jetë mandati i lagjeve fundore, i cepave fundorë, i rrugicave dhe i pragut të shtëpisë.

Ky do jetë mandati i kapilaritetit.

Votoni për interesin pragmatist të familjes suaj”, përfundoi Veliaj.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme