Një ditë me Belind Këlliçin, sfida e kandidatit përballë qytetarëve të Tiranës

Politikë | 4 vite më parë

Belind Kelliçi është sfidanti kryesor i zgjedhjeve të 14 majit në Tiranë. Kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” thotë se sfida më e madhe është rikthimi i kryeqytetit drejt një qeverisje transparente.

Intervista

Kujt i adresohesh në këtë fushatë posaçërisht?

Belind Këlliçi: Qytetarit të zakonshëm të Tiranës, qytetarëve që iu vështirësohet jetesa në Tiranë që e kanë të pamundur të mbyllin muajin në Tiranë. Programi im ka fokusin kryesor, uljen e kostove të jetesës në Tiranë dhe kjo është një çështje që prek të gjitha familjet e Tiranës pa përjashtim, të paktën 99 për qind të familjeve.

Sot në Tiranë jetesa është bërë e papërballueshme. Unë kam thyer traditën e kasetave të gatshme. Unë po ftoj të gjithë gazetarët të ndjekin të gjitha takimet e mia sepse është e vetmja mënyrë për të thyer censurën që është vendosur mbase në garën më të pabarabartë ndonjëherë elektorale që është bërë në 33-vite për shkak të represioni financiar dhe mediatik nga ana e qeverisë qendrore dhe qeverisë lokale.  

Unë iu drejtohem njerëzve të thjeshtë, të rinjve, pensionistëve, atyre që janë në nevojë ekonomike me premtimet e mia, duke nisur nga transporti falas që është një shërbim që ofrohet për 200 mijë qytetarë në ditë.

Ajo bileta 40 lekë mund të tingëllojë për shumë qytetarë se nuk është e shtrenjtë, por është e shtrenjtë për ata që janë për ndihmë ekonomike.

Pse je fokusuar te transporti publik falas?

Belind Këlliçi: Në radhë të parë ul kostot e jetesës me 52 mijë lekë në muaj për familjet që e përdorin. Ndihmon në reduktimin e trafikut në Tiranë. Duke përdorur transportin publik falas, ne dekurajojmë përdorimin e automjeteve private.

Do të thotë që çdo autobus i mbushur me 50 pasagjerë potencialisht do të thotë se do të jenë 50 makina më pak në qytet. Nga ana tjetër, redukton ndotjen e ajrit, pasi ne për fat të keq jemi një ndër kryeqytetet më të ndotura të Evropës. Është kryeqyteti i vetëm në rajon që ka numrin më të lartë të fëmijëve azmatikë. Dhe kjo është një çështje që prek fëmijët, prek shëndetin dhe prek të gjitha familjet e Tiranës. Gjithashtu lehtësohet mundësia për parkim, shoqëruar edhe me nënkalimin te sheshi “Skënderbej” ndihmon në lehtësimi e trafikimit.

Akti juaj u komentua gjatë për arsye se shenjat në strategjinë e komunikimit kanë dritë-hijet e veta. Ju shqetëson kjo gjë?

Belind Këlliçi: Aspak sepse jam i vendosur ta luftoj korrupsionin me zero tolerancë në bashkinë e Tiranës dhe pa asnjë etikë. Nuk jam etik kur vjen punë në luftën ndaj korrupsionit.

Cila është gjëja që është bërë më keq në këto vite sipas jush?

Belind Këlliçi: Zënia e hapësirës publike. Tiranës i është marrë fryma. Tirana është betonizuar. Në Tiranë janë dhënë 5 milionë m2 në këto 8 vite dhe në Tirana mund të jetë i vetmi kryeqytet në botë që dyfishohet numri i makinave dhe ngushtohen rrugët.

A ke frikë nga 14 maji?

Belind Këlliçi: Zero, mezi e pres. Për 14 majin pyesni banorët. Shanset e mia janë në sytë e banorëve, janë në duart e banorëve që shtrëngoj dhe zemrat që trokas çdo ditë. Kështu që jam fare i qetë dhe mezi po e pres bashkë me qytetarët.

Gazetare: Sonila Agostini

 

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme