14 maji/ Shehi: Populli ka nevojë për ndryshim. Votimi elektronik do krijojë një profil mbi votimin real

Politikë | 4 vite më parë

Kreu i LZHK-së, Dashamir Shehi, pjesë e koalicionit “Aleanca për Progres” që kandidon në zgjedhjet e 14 majit për këshillat bashkiakë, në një intervistë për RTSH ka deklaruar se lufta kundër qeverisjes së Edi Ramës duhet të bëjë bashkë të gjithë opozitarët.

Sipas tij, ky është shansi i vetëm për të larguar atë që e konsideron si “grupin që prej 10 vitesh vjedh Shqipërinë”.

“Lufta kundër PS na bashkon sepse këta na e kanë sjellë në majë të hundës sa do mbyllim hundët dhe do votojmë dhe njerëz që nuk na pëlqejnë. Nuk është koha idealiste për ide të mëdha por shansi i vetëm të largojmë këtë grup që ka 10 vite që vjedh Shqipërinë.

Ka mesazhe të mira, nuk është fushata perfekte dhe nuk them se kjo nuk i ka kusuret e një viti e ca sherri brenda PD-së, sepse të gjitha kanë lenë gjurmën e vet.

Populli ka nevojë për optimizëm dhe ndryshim, dhe nuk ka nevojë thjesht për rrotacion”, tha Shehi në një intervistë për gazetaren Sonila Agostini.

Kreu i LZHK-së u shpreh optimist për zgjedhjet e 14 majit, ndërsa shtoi se votimi elektronik në Vorë, Kamëz dhe Elbasan, do krijojnë një profil lidhur me votimin real në vend. Votimi elektronik, sipas Shehit, nëse do realizohej në të gjithë Shqipërisë, do e çlironte vendin nga presionet.

Më tej ai u ka bërë thirrje qytetarëve që të votojnë nr.10 më 14 maj.

“Kemi shpresë këtë radhë sepse 3 zona janë me votim elektronik dhe do krijojnë një profil se kush është votimi real. Por një eksperiencë pozitive në këtë fushë, do bënte që këtë votim ta bënim në të gjithë Shqipërinë dhe do dilte jashtë loje një armatë e tërë komisionerësh e vëzhguesish që shpeshherë janë manipuluesit e mëdhenj të votave nën udhëheqjen e partisë. Shqipëria do çlirohej nga ky preson dhe do bëheshim me demokraci të pranueshme.

Uroj që zgjedhjet të jenë të qeta dhe u bëj thirrje qytetarëve të na votojnë”, shtoi ai.

Pyetur se sa e dëmton fushatën elektorale dhe zgjedhjet vendore, fakti se konkurrojnë 2 kandidatë nga opozita, Shehi u shpreh se në 90% të rasteve është vetëm 1 i tillë.

Ndalur te kandidimi për Bashkinë e Tiranës, Shehi u shpreh se Belind Këlliçi i “Bashkë Fitojmë” ka më tepër mundësi për të fituar.

“Do ishte ideale të ishte një kandidat i vetëm opozitar. Sepse ne na bashkon dëshira për të larguar qeverinë e Edi Ramës.

Për kandidatin unik, unë nuk do e dramatizoja sepse në 90% të rasteve është një. Z. Këlliçi ka më tepër mundësi për të fituar, është më afër dhe probabiliteti ja jep atij të drejtën për të pretenduar votën e qytetarëve. Por kjo nuk bën që të nisë lufta kundër kandidatit tjetër që për mua është një gabim i madh.

Përsa i përket pjesës specifike të çdo partie sigurisht e ka një instrument, ka këshillin bashkiak, ka proporcionalin.

Ata që kanë kandidat janë të avantazhuar në këtë proces. Nuk janë votat që mbledh kandidati, por shumatorja e të gjithë ne”, përfundoi Shehi.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme