14 maji/ Sako në “Publikisht”: Fokus, përmirësimi i shërbimeve publike! Porti i ri i Durrësit, një nga projektet më të rëndësishme

Përmirësimi i shërbimeve publike, zhvillimi urban dhe mjedisi janë në fokus të programit të kandidates socialiste për Bashkinë e Durrësit për zgjedhjet lokale të 14 majit, Emiriana Sako.
E ftuar në emisionin “Publikisht” të Blerta Tafanit në RTSH, Sako foli edhe për çështjen e furnizimit me ujë të qytetit bregdetar, teksa tha se për të siguruar furnizim 24 orë për qytetarët është arritur një marrëveshje me Fondin Francez për Zhvillim dhe do të investohen 60 mln euro për infrastrukturën e ujësjellësit.
“Ka një marrëveshje me Fondin Francez për Zhvillim një fond prej 60 mln euro që do shërbejë për investimin në infrastrukturën e ujësjellësit të Durrësit për të mbyllur dhe atë angazhim që kemi marrë për të pasur 24 orë ujë në qytet. Këto nuk mund të bëhen për një vit sepse dhe Durrësi ka rritje të popullsisë dhe shumë ndryshim të demografisë dhe shërbimet adaptohen me këto ndryshime”, tha Sako.
Kandidatja socialiste, njëherazi edhe kryebashkiakia aktuale, u ndal edhe te Porti i ri Durrësit, duke e konsideruar një nga projektet më të rëndësishme që do t’i japë hov zhvillimit të qytetit.
“Porti i Durrësit është një ndër projektet më të rëndësishme që ka marrë jo vetëm Durrsi, por gjithë Shqipëria, që do jetë kartëvizitë i qytetit të Durrësit, investimi që do kryhet në këtë zonë do bëjë të mundur jo vetëm punësimin e 12 mijë personave jo vetëm gjatë ndërtimit, por edhe më pas. Do kemi mundësi të vlerësojmë edhe astete e trashëgimisë kulturore që kemi dhe që tani ka nisur një rritje e vlerës së pronës në qytetin e Durrësit. Ne kemi bërë analiza se ku mund të ishte një marinë e Durrësit dhe kjo ishte hapësira më e mirë sepse Porti nuk humbet, por transformohet. Është e rëndësishme që të kemi edhe një arkitekturë moderne në qytetin e Durrësit”, deklaroi Sako.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




