Veliaj prezanton projektin për rijetësimin e Sarajeve: Gati ta kthejmë në Muzeun Etnografik të Tiranës

Politikë | 4 vite më parë

Kandidati i PS për bashkinë e Tiranës, Erion Veliaj ka prezantuar projektin për rijetësimin e Sarajeve. Projekti për kthimin e godinës së Sarajeve të Toptanëve në Muzeun Etnografik të Tiranës, sipas Veliajt, ka për qëllim rijetësimin e godinës në një vlerë të shtuar të kryeqytetit, do të ruajë vlerat kulturore e tradicionale të qytetit.

“Në 17 gusht 2021, një nga punonjësit e Policisë Bashkiake raportoi se kishte parë një person, i cili ishte futur nga dera e pasme dhe kishte hedhur një shishe me benzinë, duke thyer xhamin e godinës. Dy minuta nga raportimi, zjarrfikësja e Tiranës shuajti zjarrin e asaj që mund të kishte patur fatin e shkollës ‘Kosova’. Më vjen mirë që nga incidenti, që fatmirësisht u shua nga zjarrfikësit në dy minuta, qyteti përftoi një pronë publike, që sa të jetë jeta do të jetë pronë e bashkisë,  e qytetit dhe e qytetarëve të Tiranës”, kujtoi Veliaj.

Ai u shpreh i lumtur se një ndërtesë e tillë po transformohet për të përfaqësuar identitetin e Tiranës.  Veliaj zbuloi se projekti MET (Muzeu Etnografik i Tiranës) do të zhvillohet nga e njëjta studio që realizoi Muzeun Marubi dhe Muzeun e Gjirokastrës.

“MET mund të jetë një emër shumë urban, por MET-i është një shqiptim me ‘slang’ tirons i asaj që mund të jetë kjo ndërtesë në përditshmëri. Unë jam i sigurt se qyteti, ashtu siç i jep një nofkë dikujt – dikë e quan Lali, dikë ndryshe, por i jep një nofkë edhe ndërtesave dhe jam i sigurt se ndërtesa do të njihet me një emër. Sot jam i lumtur që merr udhë më në fund ky projekt, pas një studimi shumë të detajuar dhe një debati shumë të madh për ruajtjen e Tiranës së vjetër,” deklaroi më tej ai.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme