14 maji/ Për herë të parë numri i votuesve do të jetë në kohë reale

Politikë | 4 vite më parë

Në zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore të datës 14 Maj 2023, zgjedhësit do të identifikohen nëpërmjet Pajisjes Elektronike të Identifikimit (PEI).

Pajisja do të ofrojë një identifikim elektronik më të perfeksionuar dhe të dhëna reale mbi numrin absolut të pjesëmarrësve në votim.

“Gjë e shtuar në këtë sistem është transmetimi në mënyrë periodike i të dhënave mbi pjesëmarrjen në ditën e zgjedhjeve. Për herë të parë falë kësaj teknologjie, ne do kemi të dhëna reale mbi numrin absolut të pjesëmarrësve në votim, nuk do ta bazojmë përqindjen në sondazhe por në faktin konkret dhe ne këto të dhëna do t’i bëjmë publike,” tha kryetari i KQZ-së, Ilirjan Celibashi, i cili paraditen e sotme mori pjesë në testimin operacional për pajisjet e identifikimit elektronik të zgjedhësve. 

Gjithashtu, sistemi është i tillë që nuk lë shkak për manipulime.

“Një votues nëse do të përdorë një mënyrë për ta  shmangur identifikimin biometrik do jetë qartësisht e evidentuar se për çfarë arsyesh. Kemi pasur raste që i kemi identifikuar kur votues të caktuar ka gjetur mënyrën e shmangies së vënies së gjurmës së gishtit. Tashmë me një sistem më të mirë të operatorëve  besoj se procesi i identifikimit biometrik do të jetë më mirë i realizuar.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve organizoi sot testimin operacional për këto pajisje.

Nga ana e saj nënkryetarja e KQZ-së Lealba Pelinku tha se me këtë pajisje është lehtësisht e dedektueshme votimi familjar dhe se qëllimi është që në qendrat e votimit të ketë 5 mijë operatorë të cilët do të jenë të mirëtrajnuar në ditën e zgjedhjeve lokale.

Një ditë më parë KQZ testoi pajisjet e votimit elektronik të cilat do të  implementohen më 14 maj në 3 bashkitë Elbasan, Kamëz e Vorë.

/rtsh.al/

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme