Ish-kreu i PE vizitë në Tiranë, Schulz: Qeveria të fokusohet te punësimi i të rinjve

Politikë | 4 vite më parë

Ish-kreu i Parlamentit Europian, Martin Schulz po zhvillon një vizitë të shkurtë në Tiranë, ku është takuar me kryeministrin Edi Rama dhe më pas është pritur nga Sekretari i Përgjithshëm i PS, Damian Gjiknuri.

Në fokus të takimit të tyre ka qenë pikërisht bashkëpunimi me Fondacionin “Friedrich-Ebert-Stiftung” i Schulz në lidhje me politikën e jashtme dhe sfidat që po kalon Shqipëria dhe rajoni.

Vetë Schulz vlerësoi progresin që kishte bërë Tirana, ndërsa tha se qeveria duhet të fokusohen në punësimin e të rinjve që ato të mos largohen.

“Kam ardhur për vizitë të shkurtër. Vlerësoj punën e bërë në Shqipëri, zhvillimet politike dhe ato të lidhura me BE. Ne folëm për situatën në BE dhe zhvillimet botërore dhe jam shumë i impresionuar për zhvillimin e Tiranës. Unë duhet të pranoj që hera e fundit që isha këtu ishte 8 vite më parë dhe jam i surprizuar nga zhvillimi dhe ndryshimi i qytetit. Të rinjtë po ikin. Qeveria ka bërë një punë shumë të mirë, megjithatë duhet të fokusohet më shumë te pjesa e punësimit”, tha Schulz.

Gjiknuri u shpreh se po përgatiten për një konferencë të madhe për të majtën progresiste.

“Besoj se Schulz e tha, është një nga personalitetet e mëdha të politikës gjermane, është bashkëpunëtor i afërt i PS dhe së bashku jemi duke punuar në lidhje me politikën e jashtme, sfidat e Shqipërisë dhe Ballkanit Perëndimor këtë periudhë dhe pse jo të rrisim bashkëpunimin në të gjitha nivelet europiane dhe ne po përgatitemi të zhvillojmë konferencë të madhe për të majtën progresiste dhe idetë për të ardhmen, sidomos me fokus integrimin në BE”, tha Gjiknuri.

I pyetur nëse do të jetë i pranishëm Ilir Meta, Gjiknuri u shpreh se ai është rreshtuar në koalicionin së shkuarës

“Ilir Meta është i rreshtuar me koalicionin e së shkuarës dhe nuk ka më lidhje me të Majtën dhe besoj se ju e dini që ai nuk është më pjesë e grupeve progresiste dhe nuk përfaqëson asgjë për të Majtën. Madje dhe emrin e partisë e ka ndryshuar, kështu që e ka zgjidhur këtë dilemë vetë dhe nuk ka nevojë ta komentojmë ne këtu”.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme