Boçi: Do ndërtojmë parkun diellor të Elbasanit

Politikë | 4 vite më parë

Kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” për Bashkinë Elbasan, Luçiano Boçi prezantoi projektin e tij për parkun diellor të qytetit, duke e quajtur një prej ëndrrave më të bukura për Elbasanin kthimin e tij në një qytet të pastër dhe ekologjik.

“Ne kemi menduar që të realizojmë në Elbasan një park qytetas të energjisë diellore, duke përdorur kryesisht çatitë e banesave për montimin e paneleve diellore. Ne duam që në këtë proces të trajnojmë dhe punësojmë jo më pak se 100 teknikë, të cilët do të angazhohen në montimin dhe mirëmbajtjen e këtij parku diellor. Projektin e parë të këtij tipi e ka bërë bashkia e Los Angeles në SHBA” – tha Luçiano Boçi.

Boçi tha se ai do të krijojë mundësi që të ofrojë një energji që kushton të paktën 30% më lirë për të gjitha entet publike, ujësjellësin, biznesit e reja që do të vijnë në Elbasan dhe gjithashtu do të krijojë një burim të rëndësishëm të ekonomisë së gjelbër dhe një model zhvillimor unik.

“Guximi për të kërkuar më të mirën buron nga besimi se ne e meritojmë atë. Fakti që nuk e kemi ende, fajëson ata që nuk e kanë krijuar. Në Shqipëri absurdi ka shkuar shumë larg. Këtu ata që paguhen për ta zhvilluar vendin, jo vetëm që nuk e kanë përmbushur këtë detyrë, por ata sulmojnë këdo që guxon të mendojë sesi kjo mund të bëhet. Për fat të keq, politika shqiptare prej dekadash shpjegon vetëm rrugët sesi gjërat shkatërrohen, jo sesi ndërtohen ato”, tha Boçi

Duke ftuar qytetarët që të votojnë projektin e tij për Elbasanin e së ardhmes, Luçiano Boçi u shpreh se “ka ardhur koha që të mos lejojmë askënd që të rrëzojë shpresat tona për një jetë më të mirë, për një qytet më të denjë, për një sistem i cili premton të ardhme”.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme