Fushata për Tiranën/ Bejko premton kthimin e “313” në muze dhe rivlerësim të emrave e rrugëve dhe shkollave

Burgu 313 në Tiranë do të shpallet muze i krimeve të komunizmit. Ky është premtimi që bëri sot kandidati i Partisë Demokratike për Tiranën, Roland Bejko në takimin me ish të përndjekur politikë në Tiranë.
Po ashtu Bejko premtoi se vilën 31 të Enver Hoxhës do ta kthejë në qendër të edukimit dhe formimit për kujtesën e komunizmi si dhe do të rivlerësojë emrat e të gjithë rrugëve dhe shkollave të kryeqytetit.
“Ne do ta shpallim muze vendin e vuajtjes së dënimit në burgun 313, ndërkohë që vilën 31 të Enver Hoxhës do ta bëjmë qendër të edukimit dhe formimit për kujtesën e komunizmit. Më hollësisht do të rivlerësojmë emrat e të gjithë rrugëve dhe shkollave të kryeqytetit në bashkëpunim me grupet interesit dhe shoqërinë civile për të shkëputur simbolikat më të rënda të së kaluarës komuniste. Do të memorializojmë kujtesën dhe krimet e komunizmit dhe vuajtjet në burgjet komuniste, vendet e internimit duke ngritur muzeun e krimeve të komunizmit në Tiranë për 32 vite nga klasa politike aktuale dhe ajo që ishte, kjo gjë nuk ndodhi, nuk e bënë, nuk donin,” tha Bejko.
Po ashtu, kandidati demokrat tha se Bashkia do të krijojë një aplikacion guidë të vendeve të kujtesës në Tiranë që t’iu shërbejë si turistë të huaj ashtu edhe qytetarëve shqiptarë.
Do të krijojmë një aplikacion guidë të vendeve të kujtesës në Tiranë që t’iu shërbejë si të interesuarve turistë të huaj ashtu edhe qytetarëve shqiptarë.
Ndryshe nga kandidati i opozitës “Bashkë fitojmë” Belind Këlliçi i cili premton transport falas për të gjithë qytetarët e Tiranës, Bejko premton subvencionim për shtresën e ish të përndjekurve politikë.
“Do të përgatisim një projektligj për shtresën e ish të përndjekurve politikë, për banesat publike dhe shërbimet shëndetësore. Si edhe do të ketë subvencione për udhëtimin e ish të përndjekurve politikë në transportin publik, të atyre të cilët nuk i kanë mundësitë për ta kryer një transport të tillë me shpenzimet e tyre. Ashtu siç është për veteranët e luftës, apo shtresa të tjera në nevojë në shoqërinë shqiptare.”
Pikat e programit
1- Rivlerësim i të gjitha emrave të rrugëve dhe shkollave të kryeqytetit në bashkëpunim me grupet e interesit dhe shoqërinë civile, duke vlerësuar emërtimet e tyre me qëllim shkëputjen e simbolikave me të rënda të së kaluarës komuniste, në formën e memorialëve, pllakave përkujtimore të shpërndara në të gjithë territorin e Tiranës.
2- Memorializimi i kujtesës mbi krimet e komunizmit dhe vuajtjeve në burgjet e komunizmit, vendet e internimit, përmes ngritjes së Muzeut të Krimeve të Komunizmit në Tiranë. Ish godina e burgut 313, e ndërtuar nga italianët më 1942 ngjitur sot më Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave, gjatë diktaturës komuniste ka shërbyer si vend paraburgimi dhe përqendrimi të të burgosurve që vinin kryesisht nga kampet dhe burgjet e Shqipërisë.
3- Ngritja e një Parku të tipit “open air museum” në Tiranë (mbase diku tek Bulevardi i Ri) për personat e zhdukur/vrarë në burgjet e komunizmit.
4- Insistimi për kthimin e “vilës së Enverit” në një qendër kreative për edukimin kundër komunizmit në Shqipëri dhe vendosja në oborrin e vilë së një memoriali/monument/obelisk sipas Ligjit Nr. 10 241/2010.
5- Krijimi i një aplikacioni Guidë e vendeve të kujtesës në Tiranë
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




