Alibeaj nga Durrësi: Dyert e bashkisë duhet të jenë të hapura për qytetarët, jo klientët

Politikë | 4 vite më parë

Kryetari i Komanduar i Partisë Demokratike, Enkeljed Alibeaj ka prezantuar emrat që PD kandidon për këshillin bashkiak të Durrësit.

PD nuk ka dalë më një kandidat për Bashkinë Durrës, por vetëm për këshillat bashkiakë, ku Alibeaj premton se janë pikërisht ata njerëz që do të sjellin në Durrës vlerat dhe do të mbajnë dyert e bashkisë të hapuar për qytetarët.

Alibeaj tha se regjimi i Ramës ka çuar vendin në kolaps për shkak të klientelizmit, që sipas tij po i “merr frymën biznesit, po dëshpëron punëtorët dhe po asfikson të rinjtë”

“Që prej ardhjes në pushtet të sektit të rilindjes 10 vite më parë, në Durrës në fakt ka 20 e kusur vite, Durrësi dhe I gjithë vendi ka rënë në kolaps. Edi Rama dhe qeveria e tij, së bashku me bashkiakët që ka katapultuar në të gjithë vendin, me Dakon, me Sako, ka sjell papunësi, ka sjell shpopullim, kanë sjell padrejtësi, korrupsion kanë sjell, e skamje kanë mbjell. Ata I mbajnë dyert mbyllur, dyert e bashkive për qytetarët, sepse I kanë të hapura për klientët.

Për klientët, për ata të cilët paguajnë nën dorë. Ata me të cilët bëjnë biznese të paligjshme, kundër interesit publik dhe shpeshherë kriminale. Pushteti I “Rilindjes”, në thelbin e vet, në bërthamën që e mban, në embrionin që e lind është thjesht dhe vetëm klientelizëm. Ky klientelizëm është ai I cili po ia merr frymën biznesit, po dëshpëron punëtorët, po asfikson të rinjtë, po I lë në mes të 4 rrugëve të moshuarit. Ka vetëm një rrugë për të dalë nga ky kolaps për t’u rimëkëmbur. Ata zonja dhe zotërinj që ishin këtu, Partia Demokratike është alternativa që I jep frymëmarrje Durrësit dhe Shqipërisë”, tha Alibeaj.

Kryetari i komanduar i PD akuzoi Ramën se kontrollon drejtësinë, policinë dhe biznesin, ndërsa Berisha dhe Meta i duhen atij për të përcaktuar edhe opozitën.

“Shikoni se çfarë bën Rama. Në posterin e madh te fushatës nxjerr veten përballë Sali Berishës dhe Ilir Metës. Këto janë kundërshtarët e tij? Jo miqt e mi. Këto nuk janë kundërshtarë e tij, janë oksigjeni i tij. Janë varka e shpëtimit të tij. Me kundërshtarë të tillë si Berisha dhe Meta, Edi Rama nuk ka garë fare. Prandaj i ka zgjedhur në poster. Sepse në regjimin e tij nuk ka vetëm median, kontrollin e gjyqësorit, nuk kërkon të kontrollojë vetëm policinë, biznesin, pushtetin vendor, por kërkon te caktojë vetë ai dhe opozitën.

Kam folur për trekëndëshin Rama Berisha Meta në takime të tjera, gjate kësaj fushatë. Siç e keni parë në një vit e gjysme këta të tre kanë sulmuar PD herë fshehurazi e herë haptazi por gjithmonë të koordinuar me njëri tjetrin sepse gjërat që i bashkojnë janë më të mëdha se ato që i ndajnë. I bashkon korrupsioni i 30 viteve në pushtet prandaj mbajnë njëri tjetrin në politikë. Rama mban Berishën. Berisha mban Metën dhe të dy mbajnë Ramën”, tha Alibeaj.

Në fund Alibeaj tha se qytetarët duhet t’i japin votën PD pasi regjimi i Ramës ka shkatërruar vendin, ndërsa Berisha dhe Meta kanë aleancë laramane, kuq e blu vetëm për interesat e tyre personale. Si zgjidhje për këtë Aliebaj shikon PD, që do qëndrojë përballë Ramës si një “opozitë, jo thjeshtë të rinovuar, por një opozitë me moralitet dhe popullaritet të lartë. Një opozitë të gjerë, të unifikuar, qartësisht të orientuar drejt perëndimit dhe pa kompromis drejt këtyre vlerave”.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme