“14 maji”/ ODIHR publikon raportin e ndërmjetëm: Fushatë e moderuar, gara më e dukshme vetëm në Tiranë

Misioni i vëzhgimit të zgjedhjeve (MVZ) i ODIHR, ka publikuar raportin e ndërmjetëm për zgjedhjet vendore të 14 majit 2023, në të cilin nënvizon se partitë politike të mëdha, në këto ditë të fushatës, duken të jenë të orientuara më tepër ndaj profileve të kandidatëve sesa platformave specifike politike të tyre.
Raporti nënvizon ndër të tjera se zgjedhjet e këshillave bashkiakë kanë kaluar në plan të dytë, krahasuar me zgjedhjen e kryetarëve të bashkisë.
“Ndërkohë që grupet kryesore të opozitës e nisën fushatën e tyre me takime publike, PS në pushtet ka deklaruar që ka synim të ketë një fushatë jo të bujshme. Kështu, që fushata ka qenë relativisht modeste dhe me ton të moderuar deri më tani. MVZ-ve të ODIHR-it është në dijeni të dy rasteve të dhunës, ku në njërën prej tyre u rrezikua jeta e një anëtari partie“- thuhet në raport.
Duke bërë një analizë të panoramës së përgjithshme të fushatës, raporti nënvizon se përgjithësisht, fushata është e dukshme, veçanërisht në Tiranë, ku MVZ-ve të ODIHR-it ka vërejtur një prani të konsiderueshme të materialeve të fushatës në terren, “përgjithësisht, deri më tani, ekskluzivisht nga PS“.
Kandidatë në garë, sipas raportit, iu shprehën MVZ-së të ODIHR-it që kishin planifikuar ta bënin fushatën në media sociale, me vizita derë më derë, takime të vogla me zgjedhës, dhe postera të vegjël.
“KQZ-ja është e autorizuar të shqyrtojë me kujdes të gjitha veprimtaritë e institucioneve publike për të identifikuar abuzimin e burimeve publike dhe të ndalojë veprimtaritë që nuk janë në përputhje me ligjin. Për të monitoruar përputhshmërinë, KQZ në janar 2023 ka caktuar 119 monitorues dhe ka krijuar një mekanizëm raportimi javor“- theksohet në raportin e ndërmjetëm.
SITUATA DHE KONTEKSTI POLITIK
Raporti i ndërmjetëm, ndër të tjera, bën edhe një analizë të mjedisit politik, i cili, sipas dokumentit, “vazhdon të jetë i karakterizuar nga dominimi i elitave politike tradicionale dhe nga polarizimi i thellë ndërmjet partive të mëdha”.
“Pas zgjedhjeve të vitit 2021 dhe shpalljes persona non grata nga qeveria e SHBA-së e ish-presidentit, ish-kryeministrit dhe kryetarit të PD-së për një kohë të gjatë, Z. Sali Berisha, kryetari i atëhershëm i PD-së, Lulzim Basha, e përjashton atë nga grupi parlamentar i PD-së. Më 25 mars 2022, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë regjistroi ndryshimet statutore të miratuara në dhjetor 2021 nga një kuvend kombëtar i PD-së i thirrur nga mbështetësit e zotit Berisha dhe më pas, më 22 mars, anëtarët e partisë e zgjodhën atë si kryetar partie. Z. Alibeaj apeloi vendimin e Gjykatës së Rrethit dhe Gjykata e Apelit Tiranë më 3 mars 2023 e rrëzoi atë vendim dhe i ktheu përfaqësimin ligjor të partisë z. Alibeaj. Z. Berisha dhe Partia e tij Demokratike e Shqipërisë-Komisioni i Rithemelimit (PDKR) kanë njoftuar se do të apelojnë atë vendim.”- thuhet në raport.
ANKIMI ADMINISTRATIV DHE GJYQËSOR
Sipas raportit, deri më 22 prill, në KAS janë paraqitur 23 ankesa, ku shumica ka të bëjë me regjistrimin e kandidatëve. KAS ka shqyrtuar gjithashtu 20 kërkesa të Komisionerit për vendosjen e sanksioneve për shkeljen e masave të parashikuara kundër keqpërdorimit të burimeve publike dhe ka pranuar 10 prej tyre.
Ndërsa Kolegji Zgjedhor gjykoi 11 ankime brenda afatit dhe në seanca publike. KQZ-ja informoi MVZ-në të ODIHR-it se deri më 18 prill, shumica e 340 raportimeve të depozituara përmes portalit të saj online, ishin dorëzuar nga organizatat e shoqërisë civile dhe pretendonin keqpërdorim të burimeve publike.
REGJISTRIMI I KANDIDATËVE
Gjithsej 40 parti dhe koalicione me 144 kandidatë për kryetar bashkie dhe rreth 23,700 kandidatë për këshillat bashkiakë, janë duke garuar për 61 pozicione për kryetar bashkie dhe 1,603 pozicione për anëtarë këshilli, duke përfshirë dy kandidatë të pavarur për kryetar bashkie dhe dhjetë për këshillat bashkiakë. Vetëm 15 nga 144 kandidatët për kryetar bashkie janë femra. “Dyzet kandidatë janë ende nën shqyrtim nga Prokuroria e Përgjithshme dhe vendimi përfundimtar mbi pranueshmërinë e tyre është pezull.”- thuhet në raport.


/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




