PD: Dënojmë gjuhën fyese të kryeministrit Edi Rama gjatë fushatës, tregon prapambetje

Partia Demokratike ka dënuar gjuhën degraduese dhe fyese të kryeministrit Edi Rama gjatë fushatës.
Shefja e komunikimit të kandidatit të PD për bashkinë e Tiranës në një komunikim për media ka deklaruar se kjo gjuhë e përdorur nga Rama, është zakon i vjetër i politikë shqiptare 33-vjecare ndërsa ka kërkuar që t’i jepet fund përdorimit të saj.
“Partia Demokratike e Shqipërisë konstaton me keqardhje se gjuha e fushatës elektorale po shndërrohet nga politika në një gjuhë degraduese dhe fyese për të gjithë opinion publik shqiptar.
Një gjuhë e cila nuk i ka hije aspak garës politike demokratike dhe klimës së përgjithme në funksion të saj.
Kryeministri i Shqipërisë , Edi Rama, në takimet e tij elektorale po përdor gjithmonë e më shumë një gjuhë ofenduese, turpëruese dhe lincuese ndaj kundërshtarëve politik dhe opozitës në tërësi.
Gjuha e përdalë e përdorur prej tij është e papranueshme dhe patolerueshme për një shoqëri të civilizuar dhe që kërkon të bëjë pjesë në shoqëritë demokratike evropiane.
Me një nivel fjalori të tillë, kryeministri i Shqipërisë është duke u tallur me shoqërinë shqiptare dhe me opinionin publik në tërësi.
Kjo gjuhë është zakon i vjetër i politikë s shqiptare 33-vjeçare dhe ne kërkojmë që ti jepet fund përdorimit te saj”, tha Mirela Karabina.
Kjo e fundit ka kërkuar ndalimin e publikimit të posterave publikë me mesazhe dhe gjeste kundër etikës kundër normave të pranuara të komunikimit dhe politikës, të cilët, siç thotë ajo, përcjellin dhe nxisin në shoqërinë shqiptare fyerje, sharje, dhe shkelin kodet e sjelljes së mirë .
“Qëllimet politike nuk duhet të tejkalojnë asnjëherë etikën e komunikimit dhe normat e një shoqërie të civilizuar.
Bashkëjetesa, komunikimi brenda normave, sjellja e mirë dhe toleranca janë parime të cilat ndihmojnë shoqëritë të empancipohen, ndihmojnë politikën të jetë në funksion të zhvillimit demokratik dhe ekonomik.
Çdo gjest apo fjalor kundër këtyre parimeve shkakton regres, prapambetje dhe një klimë konfliktuale brenda shoqërisë shqiptare.
Prandaj i bëjmë thirrje forcave politike, liderëve politik të përdorin një gjuhë dhe një retorikë të pranueshme brenda rregullave demokratike që përcakton një garë elektorale”, tha Karabina.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




