Posteri/ Këlliçi i kundërpërgjigjet kundërshtarit politik: Gishtat ngritur ndaj korrupsionit në bashkinë e Tiranës

Kandidati i “Bashkë Fitojmë” për bashkinë e Tiranës, Belind Këlliçi në një takim me qytetarët e njësisë nr.7 në kryeqytet ka shprehur vendosmërinë për t’i ngritur gishtin e mesit korrupsionit në bashkinë e Tiranës.
Duke iu përgjigjur qeverisë e cila ka komentuar posterin e tij, Këlliçi ka paralajmëruar tolerancë zero ndaj korrupsionit, ndërsa u është kundërpërgjigjur se do të jetë pa etikë dhe me gishta ngritur ndaj korrupsionit në bashki dhe ndaj Erion Veliajt që ka vjedhur çdo ditë qytetarët.
“Ai posteri im i gishtave i ka mërzitur shumë njerëzit. I ka mërzitur shumë që unë i kam nxjerr zemrën qytetarëve, dhe i kam nxjerr gishtin korrupsionit. Janë mërzitur të gjithë hipokritët që jetojnë në Tiranë, që punojnë në Tiranë, analistët e mediave që mbrojë nga mëngjesi deri në darkë korrupsionin, që mbrojnë inceneratorët fantazëm, që janë të gatshëm të thonë se kanë hipur në trenin elektrik të Erion Veliajt, që janë të gatshëm të dalin dhe të na numërojnë në media 1 milionë pemët e Erion Veliajt.
Janë mërzitur për një akt timin, referuar korrupsionit. Për të gjithë ata që kanë pikëpyetje, jam i vendosur që pas 14 majit të zhvilloj një luftë me tolerancë zero ndaj korrupsionit dhe pa etikë e me gishta të ngritur ndaj korrupsionit në bashkinë e Tiranës, ndaj Erion Veliajt që i ka vjedhur çdo ditë qytetarët”, tha Këlliçi.
Ky i fundit u shpreh se sistemi që është ngritur në Tiranë, është i kalbur dhe korruptiv.
“Janë të gjithë të trembur, të tmerruar nga ajo që i pret më 14 maj.
Ne do rrëzojmë një sistem më 14 maj.
Sistemi që është ngritur sot në Tiranë, që është krejt i kalbur, korruptiv, i bazuar në lidhjet më okulte të kryetarit të Bashkisë me Ndraghetën italiane, të kryetarit të bashkisë me mafien e ndërtimit, ne bashkë do ta zhbëjmë më 14 maj”, tha Këlliçi.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




