Gjiknuri: Binomi bashki – qeveri është garanci për vazhdimin e punëve në Elbasan

Politikë | 4 vite më parë

Drejtuesi politik i Qarkut Elbasan, njëkohësisht edhe sekretari i Përgjithshëm i PS, Damian Gjiknuri, bashkë me kryebashkiakun e këtij qyteti, Gledian Llatja, gjatë një takimi electoral me zgjedhësit, u shpreh se vota në 14 maj është dhe garanci për vazhdimin e projekteve të nisura në Elbasan.

Sipas tij, binomi bashki – qeveri është garanci për vazhdimin e punëve pasi çdo elbasanlli që mund të jetë skeptik, mund të jetë neutral, mund të ketë mendime të ndryshme politike, duhet të votojë këtë binom, sepse po bëhen disa gjëra që do ta ndryshojnë qytetin.

Gjiknuri nënvizoi se investimet madhore në Elbasan do të ishin të pamundura nëse nuk do të ishte dhe mbështetja e madhe e qeverisë.

“Nuk është kollaj të investosh shumë para për të bërë atë qendër të madhe, pra jo vetëm Automotoparkun, por përfshirë dhe shëtitoren më të madhe që do ketë një qytet siç është shëtitorja buzë lumit. Nuk është si ai Disneyparku që do të bëjë Luçi. Ato janë ëndrra. Bashkia do bëjë këto ndërhyrjet nëpër lagje, siç ka bërë, asfaltimet“- theksoi Gjiknuri.

Sipas tij, alternativa që përfaqëson dyshen Berisha-Meta nuk ofron asnjë garanci, pasi kandidati i tyre është provuar në Elbasan si alternativë humbëse dhe që nuk sjell asgjë të re.

“Alternativa tjetër është hiç. E para njëherë ata kanë bërë një martesë të re politike Berisha – Meta, e cila nuk u thotë diçka qytetarëve, përkundrazi të kthen tek ato zakonet e vjetra. Martesë e re, zakon i vjetër. Madje këtu në listën e këshillit po të shikoni e kanë mbushur me ish-LSI-të. Luçi do apo s’do, do ta pranojë se është kandidat i Ilir Metës ‘de facto’ dhe Sali Berishës si ‘non grata’. Ka qenë kandidat për kryetar bashkie, humbi‘-deklaroi Gjiknuri.

Sekretari I Përgjithshëm i PS u shpreh se, Gledian Llatja, ka provuar se di ti mbajë premtimet e bëra duke punuar çdo ditë. Ndaj, ai kërkoi mbështetjen e banorëve të lagjes “Visarion Xhuvani”, për të lidhur një tjetër kontratë bashkëpunimi për zhvillimin e Elbasanit.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme