14 maji/ Berisha fton Ramën në debat: Të vijë në studio, t’ia numëroj një për një veprat penale

Politikë | 4 vite më parë

Kreu i grupit të Rithemelimit në Partinë Demokratike, Sali Berisha ka deklaruar se kryeministri Rama nuk ka guxim që të përballet me të në publik.

Gjatë një konference nga selia e Partisë Demokratike, Berisha u shpreh se kandidatët duhen të përballen me njëri-tjetrin për të ofruar transparencë të plotë për qytetarët që do të shkojnë drejt zgjedhjeve të 14 majit.

“Ballafaqimi me kundërshtarin është detyrim madhor moral përpara qytetarëve. Ky ballafaqim, jo që nuk ka njohur zhvillime pozitive, por është zhdukur nga ekranet tona. Njeriu që vrau ballafaqimin është Edi Rama.

Atij nuk ia mban të ballafaqohet me Sali Berishën, se e di se si del nga ai ballafaqim. Atij nuk ia mban të vijë në studio dhe t’ia rreshtoj një nga një veprat e rënda penale. Atij nuk ia mban të vijë në studio dhe t’ia numëroj gjobat e tmerrshme në arbitrazh që mund të arrijnë në 1.6 miliardë euro.

Atij nuk ia mbën të vijë në studio dhe t’ia numëroj të gjithë tenderat e familjes së tij, të vëllait, thjeshtrës dhe baxhanakut të tij”, u shpreh Berisha.

Gjithashtu Berisha ka bërë thirrje që kandidatët e PD-së të jenë të hapur ndaj mediave për të transmetuar alternativën e tyre elektorale.

“Sikundër kërkoj nga kandidatët e PD-së, që të jenë të hapur ndaj medieve, cilitdo që do të ndjekë veprimtarinë e tyre elektorale.

Ftoj kandidatët e PD-së të përgatiten për debate, qoftë në sheshet e qyteteve, qoftë në sallat e qyteteve, qoftë në studio televizive me rivalët e tyre. Ftoj shoqërinë civile të ndikojë me të gjithë potencialin e saj në inkurajimin e debateve mes rivalëve.

Edi Rama, të duket se është në lojën e fundit të tij politike dhe ka mbyllur çdo lloj transparence. E pret fundi që meriton”, përfundoi Berisha.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme