Kandidatët e “Bashkë Fitojmë”, Rama: Kukulla të çiftit Meta-Berisha. Qytetarët të pozicionohen në krahun e duhur të historisë

Kryeministri Edi Rama i ka cilësuar kukulla të çiftit Meta-Berisha, kandidatët për kryebashkikë të koalicionit “Bashkë Fitojmë”. Në një komunikim për media pas mbledhjes së kryesisë së PS, Rama ka deklaruar se në zgjedhjet vendore të 14 majit do të vendoset fuqia e bashkëpunimit mes qeverisë qendrore dhe qeverive vendore, ndërsa u ka bërë thirrje qytetarëve që të pozicionohet në krahun e duhur të historisë.
“Unë nuk kam folur për kandidatët, por për kukulla të një çifti ku kemi një ‘non grata’ nga SHBA, thirrje të përsëritura për të bërë kujdes në këtë pikë sepse zgjedhja është e shqiptarëve dhe cilësia e marrëdhënieve dhe natyra e raporteve me Shqipërinë, është e aleatëve tanë. Ata e vendosin natyrën e raporteve me ne, kur një individ i shpallur ‘non grata’, mban damkën e personit të padëshirueshëm, dhe kjo e bën shumë të vështirë ndërveprimin”, tha ai.
Pyetur nëse po u ushtron presion qytetarëve teksa deklaron se nuk do të ketë bashkëpunim me bashkitë të cilat mund të fitohen nga koalicioni, Rama u përgjigj duke theksuar se “Ky nuk është presion por mënyrë për tu thënë njerëzve se do jetë i pamundur bashkëpunimi sepse këta kandidatë nuk janë vënë aty për të zgjidhur hallet dhe problemet e komunitetit, por për të krijuar oaze të luftës politike. Për të ngritur barrikada me qeverinë qendrore dhe për t’i trajtuar bashkitë si pengje lufte. Ne do bëjmë tonën në çdo bashki, sikurse kemi bërë me Shkodrën, ku bashkëpunimin e kemi pasur zero”.
Kreu i qeverisë deklaroi më tej se kandidatët e koalicionit i përkasin një familje të shthurur politike e cila s’ka pasur aftësinë të drejtojë në funksion të njerëzve.
Më tej, Rama u dha mesazhin e qartë qytetarëve se ashtu sikurse ai hoqi apandesitin e tij, ashtu duhet të heqin shqiptarët apandecitin me dy koka, duke iu referuar këtu dyshes Berisha-Meta.
“Siç hoqa unë apandecitin tim, shqiptarët të heqin këta apandecit, zorrën qorre me dy vrima, apo dy koka”, tha ai.
Kreu i qeverisë shprehu më tej bindjen se edhe mbështetësit e opozitës do të votojnë kandidatët socialistë në zgjedhjet e 14 majit. Kjo sipas tij, për shkak se “është një zgjedhje e thjeshtë, kë do marrim në punë 4 vitet e ardhshme për t’i shërbyer komunitetit?”
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




