Alibeaj nga Këlcyra: Sfida e PD, të jetë larg korrupsionit dhe vjedhjes. Nuk do lejojmë krijimin e një lëvizje antiamerikane

Kryetari në detyrë i Partisë Demokratike Enkelejd Alibeaj në takimin prezantues të kandidatit për kryetar të Bashkisë Këlcyrë, Adriatik Spahiu, ka deklaruar se më 14 maj, demokratët do i vendosin shpatullat Shqipërisë së drobitur dhe Këlcyrës që lëngon nën qeverisjen e PS.
Alibeaj u shpreh se premtimet që jepen gjatë fushatës zgjedhore duhet të mbahen, dhe sipas tij, PD e ka në ADN-në e vetë mënyrën se si i përzgjedh përfaqësuesit dhe llogaridhënien.
“Fjalë që thuhen vetëm gjatë fushatës dhe nga momenti që zgjidhesh në krye të bashkisë pastaj, harrohen. Jo. Serioziteti e kërkon që fjala e dhënë edhe të mbahet.
E ne të djathtët në fakt, ne të djathtët, edhe njeriut tonë, edhe të përzgjedhurit tonë, ia kërkojmë llogarinë para se të shkojë në karrige. Se kur shkojnë karriget pastaj të gjithë kërkojnë llogari, por nuk kanë instrumente në dorë për ta kontrolluar. E pra, kjo është mënyra e re e të bërit politikë. Po, ne ia kërkojmë para se të shkojë në karrigen e pushtetit”, tha Alibeaj, teksa sqaroi se demokratët janë ndryshe nga socialistët pasi e fillojnë reflektimin nga vetja përpara se të shkojnë te kundërshtari politik.
Duke u ndalur te situata në PD dhe koalicioni Meta-Berisha, Alibeaj e konsideroi si të papranueshme një aleancë të tillë e cila ka pas kurrizit hije të forta korriupsioni, inkoference politike, dhe dy “non grata” në kurriz.
“Që nga korriku i vitit të kaluar, Sali Berisha u ka thënë demokratëve pas një muaj do e rrëzojë qeverinë e Edi Ramës, do krijohet një qeveri teknike, se ne për 6 muaj do vijmë në pushtet, se revolucioni paqësor do bënte mrekullinë. Ku është revolucioni sot?! Gënje një herë e dy herë, e tre herë, i konsideron shqiptarët qenie pa inteligjencë. E në fakt është pikërisht kjo arsyeja ndoshta më e madhe që sot do të duhet të qëndrojmë për disa qëllime”, tha ai.
Alibeaj bëri me dije dhe disa nga qëllimet e Partisë Demokratike, kryesorja nga të cilat është të mbajë në këmbë këtë forcë politike, të japë shpresë për qytetarët dhe të bëjë qeverisje pa gënjeshtra, mashtrime dhe vjedhje. Alibeaj theksoi se sfida e PD është “Larg korrupsionit, larg vjedhjes”.
“Sot kemi detyrimin qe PD e së ardhmes që farkëtohet në këto zgjedhje të tregojë që politika është mënyra si ti shërbejë qytetarëve sic Adriatik Spahiu ka bërë sot. Miq janë këto 3 synimet tona. Ne duhet te tregojmë që jemi me të vërtetë populli pro amerikan, njerëz mirënjohës. Nuk mund ta lemë Shqipërinë, të krijohet një lëvizje antiamerikane. Historia do të na dënoje në qoftë se do ta lemë këtë gjë. S’mund ta lemë ne që PD te shndërrohet ne nje bunker antiamerikan për hallin personal të Sali Berishës. Kjo është sprova qe ne do ti japim shqiptarëve”, shtoi Alibeaj.
Sipas tij, drejtësia duhet të merret një orë e më parë me Ramën, Metën dhe Berishën.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




