Kolegji Zgjedhor rrëzon kërkesën e “Bashkë Fitojmë”: Në fletën e votimit do jetë emri i Metës, jo i Berishës! Logot e partive do vendosen

Përfundimisht, në fletën e votimit për zgjedhjet e 14 majit, si drejtues i koalicionit “Bashkë Fitojmë” do të vendoset emri i kreut të PL-së, Ilir Meta dhe jo emri i ish-kryeministrit Sali Berisha. Vendimi është marrë këtë të premte (21 prill) nga Kolegji Zgjedhor, pas një sërë diskutimesh mes palëve.
Ishte koalicioni “Bashkë Fitojmë” që çoi në Kolegjin Zgjedhor vendimin e KAS në lidhje me këtë çështje, ku përfaqësuesi ligjor, Altin Kaziaj argumentoi në seancë se është vullneti i tre partive përbërëse të koalicionit që të vendoset emri i Berishës si drejtues.
Argumentet e tyre u kundërshtuan nga përfaqësuesi i PD-së, Indrit Sefa i cili u shpreh se Kodi Zgjedhor e përcakton qartë se në fletën e votimit duhet të vendoset emri i Ilir Metës, pasi ai është udhëheqësi zgjedhor.
Megjithatë, kërkesa e koalicionit u rrëzua, duke lënë përfundimisht emrin e Metës si drejtues të këtij koalicioni.
Po ashtu, Kolegji Zgjedhor ka rrëzuar edhe kërkesën tjetër të koalicionit “Bashkë Fitojmë” , e cila kishte kërkuar që të mos vendoseshin logot e partive në fletën e votimit.
Me vendim të Kolegjit Zgjedhor, në fletën e votimit për zgjedhjet lokale të 14 majit, në krah të emrit të partive do të vendoset edhe logoja përkatëse.
KAS vendosi të mërkurën (19 prill) si drejtues të koalicionit kreun e PL-së, Ilir Meta, duke refuzuar kërkesën e koalicionit “Bashkë Fitojmë” për vendosjen e emrit të Berishës dhe po ashtu edhe për vendosjen e logove të partive në fletën e votimit, vendim ky që u la në fuqi edhe nga Kolegji Zgjedhor.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




