Zgjedhjet e 14 majit/ Gjiknuri takim me shefes e OSBE-ODHIR: Diskutime mbi mbarëvajtjen e fushatës

Politikë | 4 vite më parë

Shefja e OSBE-ODHIR, Audrey Glover ka zhvilluar një takim me Sekretarin e Përgjithshëm të PS-së, Damian Gjiknuri, në kuadër të zgjedhjeve lokale të 14 majit. Takimi u zhvillua në selinë e PS, ndërsa në një komunikim për mediat në përfundim të takimit, Gjiknuri u shpreh se u diskutua në lidhje me mbarëvajtjen e fushatës elektorale.

“Në fokus të takimit ishte mbarëvajtja e fushatës, por ju e shihni edhe vetë situata është e qetë dhe nuk ka shqetësime. Kishim pyetje në lidhje me vendimmarrjet e KQZ, listën e zgjedhësve. Janë gjëra teknike, administrative dhe nuk besoj se vënë në pikëpyetje integritetin e zgjedhjeve në Shqipëri”, tha Gjiknuri.

I pyetur në lidhje me ekzekutimin e biznesmenit Ardian Nikulaj në Shëngjin, i cili ishte edhe kandidat i PSD për Këshillin Bashkiak Lezhë, Gjiknuri tha se nuk është ngjarje e motivuar politikisht dhe se do të ishte spekulim të mendohej ndryshe.

“Unë nuk e di që këto vrasje janë të motivuara politikisht apo të lidhura me politikën. Do të ishte spekulim nga unë apo kujtdo force politike që t’i vinte etiketime politike ngjarjeve kriminale. Ne urojmë që këto ngjarje të zbardhen edhe për të hequr spekulime të tilla”, u shpreh Gjiknuri.

Glover ka zhvilluar deri më tani takime edhe me krerët e disa partive në vend, kryetarin e komanduar të PD-së, Enkelejd Alibeaj, kreun e PLS-së, Ilir Meta, kreun e PR-së, Fatmir Mediu, ndërsa po ashtu ka takuar edhe ish-kryeministrin Sali Berisha.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme