14 maji/ “Frymëmarrje për Shqipërinë”, slogani i PD! Alibeaj: Të riprofilizojmë të djathtën! Bejko: Mos votoni koalicionin Berisha-Meta

Në nisje të fushatës elektorale, kryetari në detyrë i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj dhe kandidati demokrat për Bashkinë e Tiranës, Roland Bejko, kanë zhvilluar një konferencë për mediat, nga ku kanë prezantuar edhe sloganin “Frymëmarrje për Shqipërinë”.
Duke i bërë thirrje qytetarëve që të votojnë Bejkon, Alibeaj u shpreh se detyrimi i tyre është riprofilizimi i së djathtës në vend, ndërsa shtoi se PD duhet të jetë një parti e pastër ideologjikisht dhe e orientuar drejt perëndimit.
“Jemi sot më të bindur se asnjëherë tjetër që vlerat për të cilat besojmë për një parti demokratike perëndimore, vlerat e demokracisë dhe parimet e shtetit të së drejtës, janë këto thelbi, seti kryesor i lindjes dhe ekzistencës të Partisë Demokratike. Këto parime për të cilat I kemi mbrojtur dhe do t’i mbrojmë gjithmonë. E drejta, e vërteta edhe mund të vonojë, por një gjë është e sigurtë: do të triumfojë! E kemi detyrim tjetër, jo vetëm për ekzistencën e PD, jo vetëm për çuarjen para e këtyre kauzave, por për riprofilizimin e së djathës në Shqipëri. E pastë ideologjikisht, qartësisht e orientuar drejt euro-atlantizmit që mbron vlerat e munguara të demokracisë shqiptare”, tha Alibeaj.
Bejko kërkoi nga demokratët që të mos votojnë për koalicionin “Bashkë Fitojmë” të kreut të PL-së, Ilir Meta dhe ish-kryeministrit Sali Berisha. Sipas Bejkos, çdo votë që shkon te ky koalicion, shkon drejtpërdrejtë te Meta dhe jo te PD.
“Ata që e quajnë veten të djathtë të votojnë, të mos hutohen nga ata që dikur ishin të djathtë po sot janë strehuar tek e majta. E kam fjalën për koalicionin në të cilin një pjesë e mirë e demokratëve janë strehuar në ombrellën politike të Ilir Metës. Vota, shkon tek Meta jo te PD. Kështu që, i ftoj demokratët të jenë racional”, u shpreh ai.

/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



