Xhaçka pret homologun spanjoll: Memorandum Bashkëpunimi për integrimin! Do marrim konsulencë dhe asistencë teknike

Politikë | 4 vite më parë

Ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka ka pritur në një takim këtë të premte (14 prill), homologun spanjoll, Jose Manuel Albares Bueno. Në deklaratën e përbashkët për shtyp, Xhaçka u shpreh se vizita e Ministrit spanjoll i paraprin marrjes së Presidencës së BE nga Spanja në gjysmën e dytë të vitit, ndërsa bëri me dije se mes tyre është nënshkruar një Momorandum Bashkëpunimi, me synim koordinimin sa më të mirë të punës për çështjet e integrimit evropian.

Sipas Xhaçkës, parashikohet që Spanja, të na mbështesë duke ofruar shërbime konsulence dhe asistencë teknike.

“Vizita i paraprin marrjes së Presidencës së BE nga Spanja në gjysmën e dytë të vitit. Kjo vizitë është provë e vëmendjes së posaçme që Spanja po i kushton vendit tonë dhe rajonit. Ministri Albares na prezantoi linjat kryesore të Presidencës spanjolle. Ndajmë të njëjtin mendim, që zgjerimi nuk është thjesht një instrument i BE, por është vetë esenca e Unionit. E informova homologun Albares mbi ecurinë e progresit të Shqipërisë në procesin e integrimit. Deri në fund të 2023, Shqipëria parashikon të përfundojë procesin e screening për të gjithë grup-kapitujt e negocimit.

Kërkova mbështetjen e Spanjës në lehtësimin e diskutimeve në Këshill, për një vendim pozitiv për hapjen e grupit të kapitujve themelorë. Ramë dakord për nënshkrimin e një Memorandum Bashkëpunimi mes vendeve tona. Synimi është arritja e një koordinimi sa më të mirë të punës për çështjet e integrimit evropian. Në këtë memorandum parashikohet që Spanja, të na mbështesë duke ofruar shërbime konsulence dhe asistencë teknike”, tha Xhaçka.

Po ashtu, Xhaçka shtoi se u diskutua edhe në lidhje me politikën e jashtme, teksa tha se mirëpret qasjen e Spanjës ndaj rajonit.

“Në fokus të diskutimeve ishte edhe dimensioni mesdhetar i politikave tona të jashtme. Shqipëria mirëpret prioritetet e politikës së jashtme të Spanjës në këtë rajon, në kuadër të Presidencës të Këshillit. Mirëpresim faktin që në vitet e fundit politika e jashtme spanjolle është orientuar edhe drejt Mesdheut Lindor, përfshirë Ballkanin Perëndimor. Forcimi i bashkëpunimit BE-Ballkani Perëndimor është bërë më i rëndësishëm se kurrë si pasojë e agresionit të paligjshëm rus ndaj Ukrainës”, theksoi Ministrja.

/rtsh.al/

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme