Këlliçi takon banorë të Laprakës, premton dëmshpërblim të pronave me vlerën e tregut

Kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” për Bashkinë e Tiranës, Belind Këlliçi në takim me banorët e zonës së Laprakës tha se programi i tij parashikon dëmshpërbimin e pronës sipas vlerës së tregut.
Këlliçi tha për shkak të ndërtimit të Unazës së Re por edhe të projekteve të rindërtimit, shumë banorë kanë humbur pronën e tyre, ndërsa nga bashkia e Tiranës nuk janë dëmshpërblyer.
“Çdo shtëpi që është prishur në Njësinë Nr.11 nga projektet e infrastrukturës, të rindërtimit, do të dëmshpërblet një për një në mënyrë të drejtë me metra katror, dhe me çmimin e tregut.”
Këlliçi tha se në rast të fitores së zgjedhjeve nuk do të lejoë zbatimin e idesë së hedhur nga përfaqësues të qeverisë për shembje të pallateve të ndërtuara prej 50 vitesh.
Asnjë pallat i vjetër nuk do të prishet, madje do të ndërhyjmë për të bërë të mundur veshjen e pallateve me kapot, për të kursyer energjinë. Ky është një premtim që e jap para jush, nuk do t`i preket prona asnjë qytetari, asnjë familje.”
Sa i takon çështjes së ujit të pijshëm Këlliçi u zotua që pas 14 majit do të punojë që në Tiranë të arrihet furnizimi i qytetarëve deri në 17 orë në ditë.
Gazetare: Anisa Kadesha
/rtsh/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



