Veliaj: Disa prej gjykatave dhe prokurorive do zhvendosen te “Bulevardi i Ri”

Politikë | 4 vite më parë

Kryebashkiaku Erion Veliaj deklaroi sot se opozita kishte në dorë bashkinë e Tiranës po nuk kreu asnjë punë. Ndërsa theksoi se ai bashkë me ekipin e tij do vazhdojë të modernizojë kryeqytetin duke përmenduar që disa prej gjykatave dhe prokurorive do vendosen në Bulevardin e Ri.

“Ne duhet të vazhdojmë modernizimin e qytetit dhe më vjen mirë që nesër kemi disa konkurse, bashkë me Kryeministrin, për Qendrën e re të Panaireve dhe të Konventave në “Bulevardin e Ri”, sepse “Pallati i Kongreseve” është ezauruar dhe është i rezervuar deri në fund të vitit. Ndërkohë, duam të çojmë disa nga gjykatat apo prokuroritë, te “Bulevardi i Ri”; godina e re e Bashkisë do të ketë një qendër administrative, që të mos jemi ca te “Torre Drini”, ca te “Pallati i Kulturës”, e ca te “7-katëshi”, e ca te “Zëri i Popullit”, por të grupohemi e gjithë si administratë në një ndërtesë ultramoderne, siç po bëhet ndërtesa e re e Tatimeve të bashkisë tek “21-shi”, u shpreh Veliaj.

Kryebashkiaku theksoi se çfarëdo që bën Bashkia e Tiranës, opozita do të reagojë duke bllokuar dhe duke bërë sherr.

“Po të ishin ata shumica, unë nuk do isha dot kryetar bashkie. Fatmirësisht, shumica e heshtur janë njerëzit që votojnë dhe që në shumicë thonë: ‘Duam që Tirana të ecë përpara dhe të bëhet puna’.

Detyra jonë është të vazhdojmë modernizimin dhe drejtoria jonë e planifikimit dhe e zhvillimit të territorit, ka një mision të jashtëzakonshëm.

Këta të sapllakes dhe të kalit blu, edhe të zorrës e të fuçisë, e të galixhantit të WC-së në kat të dytë, e të sahatit që s’punonte, e të bashkisë me grafiti, këta e kishin në dorë dhe s’bënë asgjë”, tha Veliaj gjatë një takimi me stafin e bashkisë.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme