Zgjedhjet e 14 Majit, Escobar takohet me Enkelejd Alibeajn dhe Ilir Metën

I dërguari i Posaçëm për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar vijon këtë të mërkurë (2 prill) ditën e dytë të vizitës së tij në Tiranë. Escobar ka zhvilluar një takim me kryetarin në detyrë të Partisë Demokratike Enkelejd Alibeaj, i cili shoqërohej në këtë takim nga deputetët Orjola Pampuri, Gazmend Bardhi dhe Kreshnik Çollaku.
Gjatë takimit, Alibeaj ka folur për problematikat e zgjedhjeve ku fokusin kryesor e vuri te përdorimi i administratës publike dhe të dhënave personale. Gjithashtu, Alibeaj thekson se i ka bërë me dije për qëndrimin konstant për çështjen e personave non grata jo vetëm në PD, por në të gjithë spektrin e politikës shqiptare.
“Zhvillova sot një takim me Zëvendës Ndihmës Sekretarin e SHBA-ve për Çështjet Europiane, dhe i Dërguari i Posaçëm për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar. Gjatë bisedës prekëm tema të rëndësishme të zhvillimeve të fundit ku u ndalëm tek përgatitjet e PD për fushatën zgjedhore dhe problematikat e këtyre zgjedhjeve.
Theksova refuzimin e qeverise për te adresuar ne Kodin Zgjedhor rekomandimet e ODHIR. Përveç kësaj i bëra me dije shkeljen që po ndodh aktualisht nga qeveria të rekomandimeve te ODHIR, lidhur me shitblerjen e votës, përdorimin në fushatë te administratës publike, përdorimi i të dhënave personale dhe buxhetit të shtetit në funksion të zgjedhjeve e sidomos lidhur me pastërtinë e figurës së kandidatëve.
Temë e bisedës ishin dhe zhvillimet në Partinë Demokratike, dinamikat e muajve të fundit dhe qëndrimi konstant për çështjen e personave non grata jo vetëm në PD, por në të gjithë spektrin e politikës shqiptare. E sigurova zotin Eskobar për vullnetin e PD në bashkëpunimin me aleatin tonë kryesor, duke i konsideruar SHBA si mbështetës të angazhuar për Shqipërinë dhe shqiptarët”, shkruan Alibeaj.
Pas këtij takimi, Escobar është pritur dhe nga Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta në selinë e partisë. Takimi me tyre ka zgjatur rreth 30 minuta. Pas bisedës me Escobar, Meta nuk ka dhënë detaje se për çfarë është biseduar, por në një postim në rrjetin social Facebook, ka bërë me dije se aleanca strategjike mes SHBA-së dhe Shqipërisë, si dhe zgjedhjet vendore, kanë qenë në fokus të bisedës mes tyre.
Meta ka deklaruar se aleanca me SHBA është themelore për demokracinë, zhvillimin ekonomik dhe sigurinë e vendit e rajonit.
Teksa ka vlerësuar angazhimin e SHBA në procesin e negociatave mes Kosovës dhe Serbisë, Meta shprehet se ky angazhim është thelbësor dhe garantues drejt përfundimit të dialogut Prishtinë-Beograd.
Po ashtu, Meta bën me dije se zgjedhjet e 14 majit, do i japin fund monizmit në pushtetin vendor dhe do rikthejnë demokracinë, transparencën dhe llogaridhënien në të gjitha bashkitë e vendit. Meta ka nënvizuar para Escobar, vendosmërinë e partisë të cilën ai drejton, për të përmbushur të gjitha detyrimet që burojnë nga partneriteti dhe aleanca strategjike midis Shqipërisë dhe SHBA.
“Po kështu, shpreha vendosmërinë e Partisë së Lirisë, për të përshpejtuar procesin e integrimit Europian të vendit, me prioritet luftën kundër korrupsionit dhe forcimin e shtetit të së drejtës”, shkuan Meta.

Këto takime vijnë në kuadër të zgjedhjeve vendore të 14 majit dhe vetëm 2 ditë para fushatës elektorale.
Escobar mbërriti në Tiranë një ditë më parë (11 prill), ku u takua me Presidentin Bajram Begaj, Kryeministrin Edi Rama dhe Ministren e Jashtme, OIta Xhaçka.
Ambasada amerikane ka evidentuar takimet e Escobarit me krerët e shtetit shqiptar duke theksuar se në këto takime është nënvizuar rëndësia e zgjedhjeve vendore të 14 majit dhe nevoja e zbatimit të rekomandimeve të OSBE-ODIHR-it.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



