Balla takon Krasniqin: PDK, kontribut të pazëvendësueshëm në politikën e Kosovës!

Grupet parlamentare të Partisë Socialiste të Shqipërisë dhe të Partisë Demokratike të Kosovës janë takuar të enjten në nivel kryetarësh duke u deklaruar për rritjen e bashkëpunimit mes tyre dhe në nivel më të gjerë parlamentar.
Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla priti sot në një takim një delegacion të Kuvendit të Kosovës, të kryesuar nga Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi.
Balla tha pas takimit se përparimi drejt marrëdhënieve më të shpeshta u gjet me vend nga të dy palët.
“Partia Demokratike e Kosovës është një parti që ka një kontribut të pazëvendësueshëm në jetën politike të Kosovës, prej momentit kur Kosova filloi rrugëtimin e saj si një shtet sovran dhe i pavarur. PDK ka një rol të rëndësishëm në reformat që kanë çuar përpara Kosovën drejt anëtarësimit në BE dhe të gjitha reformat për formësimin e shtetit ligjor të Kosovës”.
Po ashtu Balla e Krasniqi kanë rënë dakort edhe për shkëmbim ekspertize.
“Kemi diskutuar gjithashtu me kryetarin Krasniqi për intensifikimin e bashkëpunimit në të gjitha nivelet mes grupeve parlamentare, por më së shumti dhe mes dy parlamenteve në funksion të koordimit me delegacionet e përbashkëta, por edhe në funksion të shkëmbimit të ekspertizës.
Kuvendi i Shqipërisë ka tashmë një eksperiencë të cilën duhet ta vendosë edhe në dispozicion të Kosovës për shumë ligje. Ajo që vlen të theksohet në këtë takim është komunikimi i vazhdueshëm mes dy grupeve parlamentare. Dua ti uroj dhe njëherë mirëseardhjen z. Krasniqi në Kuvendin e Shqipërisë në këtë vizitë zyrtare, ku do të ketë mundësinë të takohet me të gjitha autoritetet e larta shtetërore dhe politike të vendit në dobi të intensifikimit dhe forcimit të marrëdhënieve mes dy vendeve tona”.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




