Projektbuxheti/ Nga kreditë me 0% interes te bonusi i qirasë, masat e reja për strehimin e të rinjve në vitin 2027

Sociale | 9 minuta më parë

Projektbuxheti i vitit 2027 pritet të përfshijë një paketë të zgjeruar mbështetjeje financiare për strehimin e çifteve të reja. Lajmi u bë i ditur nga Kryeministri Edi Rama përmes një reagimi në rrjetet sociale, ku u detajuan dy mekanizmat kryesorë të kësaj nisme: kreditimi me norma të reduktuara interesi dhe subvencionimi i qirasë.

Duke e cilësuar sigurimin e një banese si “një nga dëshirat më të rëndësishme të çdo çifti të ri”, kreu i qeverisë njoftoi se në kuadër të Buxhetit 2027 janë parashikuar në total 4,000 kredi të lehtësuara për blerjen e shtëpisë së parë.

Sipas ndarjes së prezantuar, gjysma e tyre, pra 2,000 kredi, do të ofrohen me interes 0% për blerjen e apartamenteve me vlerë deri në 60,000 euro, ndërsa 2,000 kredi të tjera do të jenë me normë interesi të subvencionuar në masën 3%.

Përtej mundësive për blerjen e një prone, programi adreson edhe familjet e reja që aktualisht nuk i përmbushin kushtet financiare për të marrë një kredi. Për këtë kategori është parashikuar aplikimi i një bonusi qiraje, i cili synon të lehtësojë koston mujore të strehimit.

Në mbyllje të njoftimit të tij, Kryeministri Rama theksoi se objektivi i këtyre politikave sociale është krijimi i kushteve që “më shumë të rinj e të reja të kenë mundësi të krijojnë familjen e tyre, të kenë një strehë të sigurt dhe të ndërtojnë të ardhmen e tyre në Shqipëri”.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme