Nikolla pret kreun e PDK-së, Memli Krasniqi: Partneriteti Shqipëri-Kosovë, strategjik për rajonin

Politikë | 5 vite më parë

Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, priti sot delegacionin e Partisë Demokratike të Kosovës, të kryesuar nga Kryetari, Memli Krasniqi.

Në takim ishin të pranishëm edhe Kryetari i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, nënkryetarët, Vlora Çitaku dhe Uran Ismaili, dhe Sekretari i Përgjithshëm, Bajrush Xhemali.

Kryetarja Nikolla u uroi drejtueseve të PDK-së suksese në përballimin e sfidave të partisë, Kuvendit dhe Kosovës.

“Ne kemi një bashkëpunim të shkëlqyer vëllazëror, po punojmë ngushtësisht mes Kuvendeve, qeverive dhe institucioneve për të çuar atë përpara dhe për të lehtësuar përballimin e sfidave me të cilat përballet Republika e Kosovës. Sfidat tuaja janë edhe tonat. Partneriteti Strategjik e gjithpërfshirës midis Shqipërisë dhe Kosovës është strategjik, stabilizues e orientues edhe për perspektivën evroatlantike të rajonit.”, nënvizoi Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla.

Kryetarja Nikolla vlerësoi rëndësinë e konsensusit të brendshëm midis forcave politike dhe liderëve të tyre përsa i takon qëndrimit ndaj dialogut Kosovë-Serbi dhe bëri thirrje për maturi, qetësi e unitet, për të patur një qëndrim të unifikuar rreth dialogut, të koordinuar me partnerët strategjikë të Kosovës, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian.

Aktualisht bashkëpunimi midis Kuvendit të Shqipërisë dhe Kuvendit të Kosovës ka hyrë në një fazë të re. Pas vizitës në Kosovë të Kryetares së Kuvendit, Lindita Nikolla, u institucionalizua tryeza e kryetarëve të komisioneve parlamentare dhe ka filluar bashkëpunimi intensiv midis tyre. Bashkëpunimi po shtrihet edhe në fushën e diplomacisë parlamentare, për të harmonizuar qëndrimet e delegacioneve parlamentare në organizatat ndërkombëtare.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme