Koalicioni “Shtëpia e Lirisë” nis fushatën, Berisha prezanton nga Sukthi kandidatin për Bashkinë e Durrësit

Politikë | 5 vite më parë

Koalicioni “Shtëpia e Lirisë” ka nisur fushatën për zgjedhjet e pjesshme të 6 marsit duke prezantuar nga Sukthi kandidatin për kryetar bashkie të Durrësit, Ardian Muka. Kandidatin e koalicioni të LSI dhe PDK-së e ka prezantuar ish- lideri demokrat Sali Berisha, i cili ndër të tjera ka sulmuar edhe kandidatin e Lulzim Bashës. 

“Ne vijmë këtu me një kandidat, që ka çarë me djersën e ballit, është bërë një biznesmen i nderuar pa iu nënshtruar presioneve të mafies dhe qeverisë. I besoj plotësisht atij, sepse i besuat ju, e zgjodhët ju. Asnjë kandidat në primaret e 30 janarit nuk erdhi absolutisht nga komisioni apo Sali Berisha, por erdhën nga ju. Ju siguroj se dyert për primare ishin të hapura plotësisht dhe për Luan Hotin, por ai nuk donte votën, kishte frikë nga vota juaj. Ne jashtë votës suaj nuk e emëronim atë kurrë. Ndaj në vend që të vinte të testohej në primare, zgjodhi të jetë jo kandidati juaj, por kandidat i Lul Bravës”-tha Berisha. 

Ardian Muka është kandidati i parë që koalicioni “Shtëpia e Lirisë” prezanton zyrtarisht pasi mori dritën jeshile nga KQZ për të qenë koalicion pjesëmarrës në zgjedhjet e pjesshme. 

Edhe pse koalicioni përbëhet zyrtarisht vetëm nga dy parti, LSI dhe PDK, pjesë e tij jo zyrtarisht do të jetë edhe Komisioni i Rithemelimit i Partisë Demokratike të linjës së Sali Berishës, si dhe kandidatët e zgjedhur prej tyre në primare. 

 

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme