Berisha nga Gjirokastra: Mos u bëni skllevër të Bashës

Sali Berisha po i shfrytëzon takimet në rrethe në kuadër të 31-vjetorit të themelimit të PD-së si mundësi për të thirrur mbështetësit e tij në protestën e 8 janarit, përpara selisë së PD-së. Ish-kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë fjalës në 31 vjetorin e themelimit të PD-së dega Gjirokastër u bëri thirrje demokratëve që të mos bëhen skllevër të Lulzim Bashës.
“Ju bëj thirrje të mos mashtroheni, nuk është çështje zyrash, nuk është çështje personash, ata që duhet t’jua paraqesin ju, ata janë avokatë, janë mercenarë të antivlerave, çështja dhe beteja që po zhvillohet është vetëm një. Përparimin më themelor të demokracisë, a do të qeverisë shumica, apo pakica mbi dhunë mbi shumicën. Ato janë akte historike pabesie. Ai nuk do të pranojë vendimin tuaj jo të kësaj salle, por të 44 mijë anëtarëve të PD. Ky njeri i cili dy muaj më parë më thoshte se mua nuk më shkarkon kuvendi se më kanë votuar anëtarë, ai sërish thotë se nuk i njoh ata. Ai këkron t’ju paraqesë dy mijë persona të mbledhur në një sallë përpara delegatëve. S’kemi të bëjmë me karrige, por do të vendosë pakica apo shumica. Edi Rama është regjisor kryesor i këtij skenari. Mos u bëni skllevër të një njeriu që ju blen dhe ju shet çdo ditë për interesat e veta. Më 8 janar do jetë rikthimi i selisë së PD në shtëpinë e demokratëve të lirë”, tha Berisha.
Ai u shpreh se Basha kërkon të paraqesë 2 mijë personat për 5004 delegatë dhe se nuk pranon votën e 44 mijë demokratëve për shkarkimin e tij.
“Çështja që po zhvillohet është një dhe vetëm një, për përparimin themelor të demokracisë, a do të qeverisë shumica, apo do të qeverisë pakica me dhunë mbi shumicën. Kjo është gjithçka. Kjo është e vërteta. Kjo e çon sërish demokracinë përpara alternativës Shekspiriane, të jesh apo të mos jesh. Një njeri duke shkelur çdo standard të moralit njerëzor, dorëzon sovranitetin, kryen akte historike pabesie, ky njeri nuk do të pranojë verdiktin tuaj, vendimin tuaj, por jo të kësaj salle, por të 44 mijë anëtarëve të PD”, tha ish-kryeministri
Më tej ai shtoi se “Ky njeri (Basha), i cili dy muaj më parë na thoshte se mua nuk më shkarkon Kuvendi për arsye se më kanë votuar anëtarët, tani që kanë votuar 44 mijë, 10 mijë më shumë se në qershor, përsëri thotë se nuk i njoh. Ky njeri kërkon t’ju paraqesë ju 2 mijë personat për 5004 delegatë. E shihni, këtu nuk kemi të bëjmë as me zyrë dhe as me karrige, por me një parim themelor se kush do të vendosë shumica dhe do të pranojë pakica. Do të vendosë shumica dhe do t’i japë mundësi pakicës të shprehet lirisht siç i kemi dhënë ne mundësi në statut me nenin për fraksionet? Apo kjo pakicë do të përdorë dhunën, bandat, narko-shtetin për të dominuar mbi shumicën?”.
Berisha ftoi demokratët e qarkut Gjirokastër të marrin pjesë në protestën e 8 janarit që sipas tij do të jetë paqësore, një revolucion me këngë e valle.
“Në datën 8 janar të gjithë së bashku, në një manifestim proteste, si në një festival, të shkojmë në shtëpinë tonë, në shtëpinë e demokratëve, të zbatojmë vendimin e 44 mijë anëtarëve të PD. Të cilin peng Basha nuk do që ta njoh. Është detyrë, mision. Në vend të kësaj në histori turpi, më të turpshmen, si në romanet e Markezit, apo si dikur në degët e punëve të brendshme të diktaturës hoxhiste, ka tre javë që ve blinde e brava dhe ka shndërruar tempullin tonë, tempullin e demokratëve shqiptarë në një ndërtesë burg, bunker, për punonjësit e saj. Në një ndërtesë të cilën futen banditë, vrasës, kriminelë, me emër dhe mbiemër, por nuk futen dot deputetët e PD, nuk futen dot zyrtarët e saj. Shpiku një lloj si Enveri, derën e kryetarit, nga e cila mund të futet vetëm Lulzim Brava për çështje sigurie dhe asnjë tjetër”, tha Berisha.
Data pesë janar ishte dita e fundit e afatit të vendosur nga Berisha që kryetari aktual i PD-së, Lulzim Basha të largohet nga posti, pasi sipas tij u shkarkua me votën e lirë nga 4446 delegatë të Kuvendit Kombëtar të PD-së, të datës 11 Dhjetor 2021 dhe nga 44 mijë anëtarë të PD-së, që morën pjesë në Referendumin e Partisë Demokratike të datës 18 Dhjetor 2021.
Kjo nuk ka ndodhur nga ana e Bashës, i cili ka vendosur që të blindojë selinë blu, duke mos lejuar që anëtarët e Komisionit të Përkohshëm të Rithemelimit të Partisë Demokratike, mbështetës të Berishës mos të hyjnë brenda.
Situata e ndërlikuar prej muajsht tashmë brenda PD-së, duket se nuk do të ketë një fund, ndërsa dita ditës rëndohet.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




