Berisha : Opozita tashmë ka kthyer besimin jo vetëm te demokratët, por te të gjithë shqiptarët!

Politikë | 5 vite më parë

Ish-Kryeministri Sali Berisha i cili kryeson grupin e rithemelimit të PD, ka deklaruar se në 3 muaj opozita e djathtë arriti të ringrihej, duke kthyer besimin jo vetëm te demokratët, por te të gjithë shqiptarët.
Duke folur të enjten në një takim me demokratët e Fierit, zoti Berisha tha se opozita tashmë ka kthyer besimin jo vetëm te demokratët, por te të gjithë shqiptarët. Lidhur me polemikat për zotërimin e selisë së PD Ai tha se “Për çdo shqiptar, garantoj, se ne s’jemi keq për një karrige dhe për një zyrë, por problemi është te parimi themelor i çdo demokracie të vërtetë, që vullneti i shumicës zbatohet dhe ai i pakicës respektohet. Shkelmimi i këtij parimi është tipari i regjimeve diktatoriale, terroriste. Ne do ti japim Lulzim Bravës 20 karrige dhe 20 brava”, tha jo pa ironi Berisha nga Fieri.
Ai përsëriti thirrjen drejtuar çdokujt që të bashkohet me ta, duke shtuar se kjo nuk është çështje karrigesh, por parimesh demokratike.
“Ne mblodhëm Kuvendin, e shkarkoi Kuvendi sipas statusit që kishte miratuar vetë, e kaluam vendimin e Kuvendit në referendumin e anëtarësisë, dhe ju, anëtarët e PD vendosët për shkarkimin e Lulzim Bashës. Ai harroi gjithçka dhe deklaroi se nuk njeh Kuvendin, nuk njeh Referndumin, edhe pse në 18 dhjetor votuan për shkarkimin e Lul Bravës, 10 mijë demokratë më shumë, se sa votuan në qershor për zgjedhjen e tij”, tha Berisha.
Ish kryeministri dhe ish kreu i PD tha se “Basha është peng i aferave jo vetëm me dosjen Nick Muzin dhe Toyota Yaris, por edhe me aferat në Portin e Durrësit”. Zoti Berisha tha se me datën 8 janar, në mënyrë paqësore, do të zbatojë vendimin e Kuvendit dhe anëtarësisë së PD.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme