Tabaku: Shqipëria është e dyta në botë për korrupsion!

Duke iu referuar raporteve nga Banka Botërore e BERZH, deputetja e zgjedhur e PD-së Jorida Tabaku deklaroi sot se Shqipëria mban vendin e dytë në botë për korrupsionin. ZonjaTabaku akuzoi në rrjetet sociale se sipas saj zyrtarët shqiptarë pasurohen nga taksat që paguajnë qytetarët. “Një shtet i kapur nga korrupsioni, që fut duart në xhepat e sipërmarrjeve dhe qytetarëve. Kjo është e vërteta e Shqipërisë që pasqyrohet edhe nga Banka Botërore dhe BERZH. Të dytët në botë për korrupsionin, me zyrtarë që mbushin portofolet nga taksat e shqiptarëve dhe u heqin fitimet bizneseve të shqiptarëve. Tri herë më shumë korrupsion paguajnë bizneset shqiptare në raport me 8 vite më parë! Ky nuk është as raporti i vetëm dhe as raporti i fundit ndërkombëtar që tregon natyrën e vërtetë të regjimit të korruptuar që shqiptarët kanë përballë. Korrupsioni është oksigjeni i kësaj mazhorance prandaj ajo stimulon pandershmërinë dhe paligjshmërinë. Një regjim që vjedh zgjedhjet mund të ofrojë vetëm vjedhjen dhe korrupsionin si formë qeverisje!” tha Tabaku.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



