COVID 19, Rama dhe Meta thellojnë përplasjet

Ndërsa Shqipëria arriti të martën numrin e 563 personave të infektuar me COVID 19, numri më i lartë që kur ka filluar epidemia, një përplasje e fortë është regjistruar mes krerëve të shtetit, presidentit Ilir Meta dhe kryeministrit Edi Rama. Shkak janë akuzat e zotit Meta se qeveria e kryeministrit Rama dhe vetë ai, janë përgjegjës për situatën e rëndë në të cilën gjendet vendit.
Veç gjuhës së ashpër vihen re dhe etiketimet degraduese që ata kanë përdorur ndaj njëri-tjetrit.
Më poshtë dy statuset e fundit që zoti Rama dhe zoti Meta i kanë shpërndarë në rrjetet sociale.
Statusi i Edi Ramës
Ilir, infektimet dhe humbjet e jetës po shtohen fatkeqësisht kudo në botë, pavarësisht nga testimet e nga dënglat e tua, Lulit, Monikës e Saliut! Sot në Itali kanë humbur jetën aq sa Shqipëria gjithsej. Krahasuar me numër popullsie i bie që duhet të kishim 30 vdekje në ditë!
Si shpjegohet që tërë kjo botë nuk po ia del dot më mirë se ne, meqë këtu e paska fajin qeveria për rritjen e numrave? Pyetje kot kjo se ti je Shvejku, “Ç’më duhet mua ça them unë!”, jo Presidenti i Republikës! Si të ra kështu kallaji fare o njeri, çfarë do akoma nga Shqipëria!
Statusi i Ilir Metës
Nuk ke plan! Nuk ke strategji! Ke vetëm propagandë!
Çdo ditë po humbin jetën qytetarë!
Çdo ditë numri i të infektuarve po shtohet frikshëm!
Ku e ke shëndetësinë falas?
Pse nuk ju rimburson çdo qindarkë që paguajnë për ilaçe pacientët që mjekohen në shtëpi, familjet në nevojë dhe pensionistët e infektuar me COVID-19?
Pse nuk i shton testimet?
Pse nuk e shton buxhetin për sistemin shëndetësor?
Ti për vete nuk paguan asnjë kacidhe për ilaçe, ndërsa çdo shqiptari sot me arrogancë i thua: “Mos u sëmur se shteti nuk kujdeset dot për ty! As ilaçet nuk ja u paguaj!”
Mos i fshihni të dhënat për COVID-19 për të mbuluar paaftësinë tuaj në menaxhimin e kësaj situate, prag kolapsi!
Mjaft me justifikime dhe batuta bajate!
Si nuk u lodhe 8 vite duke vjedhur papushim me koncesione dhe PPP? Askush në botë nuk e shfrytezon pandeminë për të vjedhur si ti dhe Parlamenti yt monist që bën ligje për oligarkët në kulmin e kësaj fatkeqësie!
Askush nuk mund të prishte Teatrin Kombëtar në gjendje të jashtëzakonshme për të ndërtuar kulla për oligarkët!
MOS I FSHIHNI TË DHËNAT PËR COVID-19!
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



