Rama bisedon me presidentin e KE-së Michel: Presim me padurim Konferencën e Parë Ndërqeveritare Shqipëri-BE

Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot një bisedë online me Presidentin e Këshillit Europian, Charles Michel me të cilin kanë folur për Konferencën e Parë Ndërqeveritare Shqipëri – BE, planin europian të Investimeve në rajonin e Ballkanit, ecurinë e Shengenit Rajonal dhe tematikën e konflikteve në zonën e OSBE-së, njofton ATSH.
“Një bashkëbisedim si gjithnjë miqësor, i hapur, interesant me Presidentin e Këshillit Europian dhe mikun e çmuar, Charles Michel, një mbështetës i pakursyer i integrimit europian të Shqipërisë e të Ballkanit Perëndimor. Folëm për Konferencën e Parë Ndërqeveritare Shqipëri-BE, si hap domethënës në rrugën drejt anëtarësimit pas çeljes së negociatave; Planin Europian të Investimeve në rajonin tonë; ecurinë e Shengenit Rajonal dhe tematikën e konflikteve në zonën e OSBE-së”, theksoi Rama.
Ndërsa Presidenti i Këshillit Europian, Michel Charles gjatë bisedës telefonike me kryeministrin shqiptar, Edi Rama, ka shprehur padurimin për konferencën e parë ndërqeveritare që do të mblidhet pas miratimit të kornizës së negociatave.
“Mirëpres angazhimin për reformat e BE-së dhe zbatimin e tyre. Solidariteti i ndërsjellë gjatë COVID-19 ka përforcuar më tej marrëdhënien BE-Shqipëri”, – ka theksuar Charles. (Sipas ATSH)
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




