Të prekurit nga kolla e mirë, shkon në 8 numri i fëmijëve të infektuar në Korçë

Rriten rastet e fëmijëve me kollë të mirë në Korçë. Gjatë këtij muaji janë evidentuar 8 raste të moshave nga 0 në 12 muaj.
“Është vënë re një rritje e rasteve me kollën e mirë dhe kanë qenë gjithsej 8 raste, nga të cilat shumica kanë qenë fëmijë të moshës nën një vit dhe nga këta katër raste kanë qenë të moshës nën 6 muaj. Rastet që kemi pasur kanë qenë relativisht të rënda. Është një sëmundje mjaft kontagioze e cila transmetohet nga një person tek tjetri”, tha Robert Rado, Shef i Pediatrisë.
Në kalendarin shqiptar të vaksinimit përfshihen vaksinat kundër kësaj sëmundje në moshat 2, 4 dhe 6 muaj, si dhe në moshën 2 dhe 5 vjeç. Rado bën të ditur se ata fëmijë që kanë kryer vaksina joqelizore të blera jashtë shtetit janë më pak të mbrojtur nga kolla e mirë.
“Vaksinimi sipas të dhënave të fundit jep një mbrojtje e cila nuk dihet sa zgjat dhe mendohet se ata persona të cilët kanë marrë vaksinën e tipit të dytë joqelizore kanë një mbrojtje më të dobët dhe më të shkurtër sesa personat që marrin vaksinën e tipit qelizor. Karakteristike është se kjo lloj sëmundje nuk shoqërohet me temperaturë por karakteristika klinike të kollës e bëjnë atë të dallueshme”, u shpreh mjeku.
Mjekët bëjnë apel për kujdes të shtuar për fëmijët dhe paraqitjen te mjeku në rast të shfaqjes së simptomave.
/RTSH/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




