Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike apel qytetarëve: Kujdes nga SMS-të për gjoba trafiku, mos jepni të dhënat personale

Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK) u ka bërë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes ndaj mesazheve mashtruese që pretendojnë se kanë shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor apo detyrime të papaguara.
Përmes një njoftimi, AKSK paralajmëron se persona të paautorizuar po përdorin emrin e Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor (DPSHTRR) për të dërguar SMS mashtruese, përmes të cilave synojnë të marrin të dhënat personale dhe bankare të qytetarëve.
Autoriteti u bën thirrje qytetarëve të mos klikojnë në lidhjet e dërguara përmes këtyre mesazheve dhe të mos japin të dhëna personale, bankare apo kode verifikimi.
“Mesazhet që ju nxisin të klikoni në një lidhje mashtruese dhe të vendosni të dhënat tuaja, duke ju kërcënuar me penalizime nëse nuk veproni menjëherë nuk duhet t’i klikoni”, thuhet në njoftimin e Autoritetit Kombëtar për Sigurinë Kibernetike.
Sipas AKSK-së, në bashkëpunim me institucionet përgjegjëse janë marrë masat e nevojshme për adresimin e rastit, ndërsa vijon monitorimi për identifikimin e tentativave të ngjashme të mashtrimit.
AKSK thekson se përdorimi i emrit apo logos së një institucioni nuk garanton vërtetësinë e mesazhit, ndërsa lidhjet e pazakonta, presioni për të vepruar menjëherë dhe kërcënimet me penalizime janë sinjale të qarta paralajmëruese për një tentativë mashtrimi.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




