Përfshirja e të rinjve në krime, psikologia: Zgjidhja, bashkëpunimi shkollë-institucione-familje

Teksa paketa e sigurisë në shkolla vijon të aplikohet, ekspertët kërkojnë një bashkëpunim shumëdimensional për evitimin e përfshirjes së të rinjve në akte dhune apo kriminale.
Psikologia kriminologe dhe viktimologe, Klarida Rrapaj, thotë se roli i mësuesit dhe prindërve është me shumë rëndësi.
“Është prindi që shikon në shtëpi shenjat e fëmijës, i cili bullizohet, kurse në shkollë është mësuesi. Në momentin që mësuesi shikon se ka një fëmijë violent, shumë agresiv nga ana e karakterit, duhet të komunikojë se s’bën me prindërit dhe me drejtorinë e shkollës,” shprehet psikologia.
Rrapaj rekomandon edhe ndryshime ligjore, për fuqizimin e aktorëve të përfshirë në proces.
“Nuk është e mjaftueshme vetëm ndërhyrja e shtetit në shkollë duke folur vetëm për bullizimin apo dhunën, por duhen bërë edhe aktivitete ku prindërit takojnë mësuesit, të ketë kontakte me psikologë, viktimologë, të ketë një bashkëbisedim. T’u bëhet e qartë studentëve se çfarë është dhuna dhe çfarë mund të sjellë ajo nëse nuk ka kujdes,” shton znj. Rrapaj.
Lidhur me psikologët e shkollave, znj. Rrapaj rekomandon trajnim të vazhdueshëm për evidentimin e problematikave.
“Mësuesit të bëjnë edhe formimin nga ana profesionale, si t’i dallojnë shenjat e një fëmije të bullizuar dhe si të ndërhyjnë,” shpjegon psikologia.
Rrapaj thekson rrezikun që iu kanoset për të ardhmen këtyre fëmijëve.
“Këta fëmijë mund të krijojnë në të ardhmen banda të vogla, ‘baby gang’, dhe duke kaluar kohën, nëse nuk kontrollohen nga shteti, mund të jenë adoleshentë problematikë,” përfundon znj. Rrapaj.
Gazetare: Flutura Tota
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




