Hasanllari: Vjedhjet, krimet më të shpeshta të të miturve. Telhaj: Predispozitë nga dhuna në familje

Sociale | 3 vite më parë

Drejtoresha e Qendrës së Parandalimit të Krimeve të të Miturve dhe të Rinjve, duke folur në lidhje me përfshirjen e të miturve në kriminalitet, apo konflikt me ligjin, u shpreh se në fokus duhet të jetë parandalimi. Sipas saj, nevojitet vendosja në praktikë e masave, duke e parandaluar fillimisht ngjarjen, përmes sensibilizimit, grup-terapive.

E ftuar në emisionin “Mirëmëngjesi Shqipëri”, Hasanllari bëri me dije se vjedhjet, janë rastet më të shpeshta të të miturve në konflikt me ligjin.

“Një fëmijë që hyn në kriminalitet, që hyn në konflikt me ligjin, është një shkatërrim në një nga elementët e shoqërisë. Të gjitha këto bëjnë që një i mitur të prishë jetën e vetë dhe t’i futet një rruge me pasoja për të ardhmen. Shoqëria duhet të gjejë një mënyrë për të rregulluar këtë problem te fëmija.

Nëse flasim për përfshirje të të miturve në kriminalitet, një fokus i rëndësishëm është parandalimi. Ligji i garanton garancitë proceduriale. Në kriminologji njohim dy lloj parandalimesh, parës dhe dytësor. Por që ta shpjegoj më qartë është parandalimi para se fëmija të ketë konflikt me ligjin, përmes grup-terapive, sensibilizimi.

Dhe parandalimi dytësor kur një fëmijë që ka pasur njëherë probleme me ligjin, mblidhet një grup institucional, mblidhet familja me psikologun, punonjësin social, punonjësin e rendit.

Masat duhen vendosur në praktikë. Profesionistët janë.

E rëndësishme është që këto kapacitete që kemi me një arkitekturë ligjore, më e mira në rajon. Shqipëria ka kod të posaçëm për drejtësinë penale për të mitur, ka një ligj për të drejtat dhe mbrojtjen e fëmijës i update-uar me standardet e OKB-së dhe instrumenteve ndërkombëtar, njësitë e vetëqeverisjes vendore në çdo bashki kanë njësitë e mbrojtjes së fëmijës.

Ajo që unë dua, është që këto struktura të përdoren, edhe nga prindërit.

Në çdo bashki, është njësia e mbrojtjes së fëmijës, agjencia shtetërore për mbrojtjen e fëmijës, janë instrumente në MD, në policinë e shtetit, paketa e sigurisë në shkolla që është një element shumë i mirë, punonjësi social, psikologu.

Është momenti që komuniteti dhe institucionet të mos pasojnë fajin te njëri-tjetri por të gjejnë një mënyrë të gjejnë këto masa për të bashkëpunuar.

Së fundmi janë shtuar vjedhjet. Tipologjitë e veprave penale, varet. Më së shumti të miturit që dënohen, veprat kryesore janë trafiku i lëndëve narkotike, vjedhja, konflikt çasti”, u shpreh Hasanllari.

Ndërsa psikologia Valentina Telhaj, se krimet nga të miturit, vijnë si pasojë e dhunës në familje. Ajo u shpreh se prindërimi është baza dhe ndërtimi më i rëndësishëm i identitetit të një fëmije.

“Prindërimi ka pafund mundësi për të lexuar informacionet e nevojshme për të prindëruar në mënyrën më të mirë të mundshme. Prindërimi është baza dhe ndërtimi më i rëndësishëm i identitetit të një fëmije. Aty nis gjithçka.

Fëmijët e kanë të rëndësishme të ndihen të pranuar dhe të ndërveprojnë në heshtje. Mosha e adoleshencës dhe puberteti kryesisht kur nisin krimet, është momenti kur fëmija është i distancuar dhe nuk ka dëshirë të komunikojë me prindin. Prindërit duhet të ngrejë alertin dhe të kuptojnë gjuhën jo verbale të kuptojë pse po hesht, pse nuk shoqërohet me bashkëmoshatarë por me persona më të rritur dhe të panjohur.

Prindërimi është baza, më pas shkolla, shoqëria. Prindi është themeli i krijimit të identitetit të një fëmije”, theksoi psikologia.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme