Ringjallja e Liceut Francez të Korçës/ Projekti për një kolegj pas ardhjes së Makronit

Sociale | 3 vite më parë

E quajtur ndryshe dhe Parisi i vogël, Korçës iu kthye vëmendja si e tillë pak ditë më parë kur presidentit francez, Emanuel Makron (o. Emmanuel Macron) që vizitoi Shqipërinë iu dhurua albumi me foto të Liceut të famshëm Francez rreth 105-vjeçar në Shqipëri.

“Bëhet fjalë për të marrë traditën dhe trashëgiminë e Liceut të Korçës, për ta njohur atë si një prezencë të arsimit të gjuhës frënge në Shqipëri, por për ta sjellë atë në një mënyrë më ndryshe, bashkëkohore dhe evropiane. Propozimi i presidentit të Institutit, Dr. Albert Rakipit, ka qenë që në Korçë të hapet Kolegji Francez, një institucion i arsimit të lartë me diploma Bachelor dhe Master dhe mbi të gjitha të ketë një kampus ndërkombëtar,” tregon Alba Çeço, drejtorja e Institutit për Studime Politike.

Ndërsa publikisht nuk është bërë e ditur gjë tjetër veç premtimit të cituar të presidentit francez se do ta rivendosë një lidhje të tillë, ideatorët tretojnë për televizionin publik më shumë detaje.

“Do të ishte një investim mjaft strategjik në Shqipëri dhe do të shkonte natyrshëm edhe me zhvillimet më të fundit. Kemi tani hapjen e Kolegjit të Evropës në Shqipëri, një projekt te i cili Instituti është investuar shumë në fazën e propozimit. Duke u nisur nga kjo e kaluar e bukur, ka qenë një Lice i cili mbahet mend edhe sot mbi 100 vite mbas ekzistencës së tij,” shton znj. Çeço.

Ndërsa praktika pritet të marrë rrugë, analogjia e vendosur me realizimin e Kolegjit të Europës në kohë rekord, e bën të dukshme në horizontin e afërt dhe një rimarrje të tillë.

Gazetare: Entela Komnino

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme