25 vite në mësuesi. Loreta, mësuesja e dashuruar me profesionin

Sociale | 3 vite më parë

Loreta Samara është një mësuese e pasionuar e gjuhë letërsisë e cila për 25 vite rresht ka dhënë mësim në një prej shkollave elitare të qytetit të Korçës, në shkollën “Stavri Themeli”.

Ajo u rikthye edhe njëherë pas çerek shekulli në shkollën e dashur duke parë dhe prekur nga afër jo vetëm ndryshimet që ka pësuar gjatë viteve, por duke ndjerë të njëjtat emocione si në ditën e saj të parë të punës.

“M’u duk sot sikur do merrja regjistrin në dorë dhe do filloja mësimin ditën e parë të shkollës. Kemi qenë një brez mësuesish që kanë punuar me pasion, sepse mësimdhënia në fund të fundit është vërtet jo thjesht profesion, por pasion,” thotë mësuese Loreta.

Prej 22 vitesh mësuese Loreta ka dalë në pension, por pasioni dhe dëshira për mësimdhënien nuk i është larguar asnjëherë. Ajo sot 78 vjeçe kujton me mall kohën kur ka shërbyer në arsim, kohë që për të ka qenë më e bukura në jetë.

“Kishim shkumësin në dorë, kishim buzëqeshjen në fytyrë, kishim dëshirën për të dhënë maksimumin tonë dhe them që ajo kohë ka qenë më e bukura që mund të përfytyroja,” shprehet mësuese Loreta.

Në korridoret e shkollës takuam një mësuese të edukimit fizik, e cila dikur ka qenë nxënëse e mësuese Loretës. Nevila Jorgji nuk ngurron të shprehë emocionet e këtij takimi.

“Gjithnjë ashtu e qeshur, me fjalë të ëmbla, na ka mësuar me mënyrën e saj aktoriale. Ka qenë e dhënë me nxënësit. E bekuar ajo, të bekuar ne që kemi qenë nxënësit e saj,” thotë mësuese Nevila.

Dashurinë për profesionin e bukur të mësuesit Loreta Samara e ka shprehur edhe njëherë sot teksa mori pjesë në një orë mësimi, duke bërë për vete ashtu siç di ajo, nxënësit e klasës së pestë të shkollës Stavri Themeli. Samara ka edhe një thirrje për nxënësit e studentët të cilët janë ende duke u regjistruar në fakultete.

“Të zgjedhin mësuesinë. Të bëhen fizikanë, kimistë, sepse mësimdhënia është gjëja më e jashtëzakonshme që mund t’i ndodhë njeriut në jetë,” shton Loreta.

Si një mësuese e pasionuar e gjuhës Loreta Samara nuk harron të theksojë rëndësinë e drejtshkrimit dhe drejtshqiptimit të gjuhës shqipe.

Një mësues i mirë është një mësues i dashuruar me profesionin e vet, një ndjesi kjo që Samara e uron për të gjithë mësuesit e ditëve tona.

Teksa largohet nga shkolla “Stavri Themeli”, mësuese Loreta merr me vete mjaft emocione të bukura, ndërsa premton se do të rikthehet për një orë mësimi letërsie me nxënësit e klasave të nënta.

Gazetare: Konstanca Koti

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme