Censi në javën e tretë/ Banorët e zonave rurale më të gatshëm t’u përgjigjen anketuesve

Marsia Velia, anketuese e INSTAT për Censin, çdo ditë troket në dyert e banorëve të Myshqetasë për të bërë regjistrimin popullsisë dhe banesave.
Duke qenë vajzë e zonës, e ka më të lehtë komunikimin me ta pasi shumica e njohin. Veç kësaj, banorët e zonave rurale janë treguar më të gatshëm t’u përgjigjen anketuesve, sesa ata në zonat urbane.
Banorët e komunave nuk i kanë refuzuar anketuesit, siç ka pasur raste në disa qytete. Ecuria pozitive e procesit në zonat rurale konfirmohet edhe nga zyrtarët e INSTAT-it
“Njësitë administrative që unë mbuloj ka vazhduar normalisht, anketuesit kanë dal në terren, banorët i janë përgjigjur pyetjeve. Koha e anketimit varet nga madhësia e njësisë ekonomike familjare. Një familje prej 4 personash, zgjat deri në 20 minuta”, shprehet Gentian Sinakoli, shef Sektori në Llogaritë Kombëtare, INSTAT.
Janë raportuar raste kur anketuesit i kanë bërë qytetarëve vetëm 5 apo 8 pyetje dhe të tjerat u kanë thënë se i plotësojnë vetë. Janë 100 pyetje të censit që të gjithë janë të detyruar tu përgjigjen, veç tre pyetjeve opsionale, mbi fenë, gjuhën dhe kombësinë.
Për rastet kur anketuesit nuk i bëjnë të plota pyetjet ndaj qytarëve, INSTAT ka penalitete.
“Çdo anketues duhet të bëjë të gjitha pyetjet deri në fund pasi nuk lejohen të bëhen pyetje të pjesshme. Përjashtim tre pyetjeve ajo e gjuhës, etnisë dhe fesë ku familjari zgjedh vetë nëse dëshiron” shprehet Sinakoli.
Në të gjithë vendin operojnë 5240 anketues, që po bëjnë regjistrimin e popullsisë dhe banesave.
Gazetare: Teuta Shamku
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




