Kulla e Çun Mulës drejt përfundimit/ Trashëgimtarët e bajraktarit të Hotit do e kthejnë në muze

Sociale | 3 vite më parë

Kjo është gjendja e mëparshme në të cilën ndodhej kulla e bajraktarit të Hotit Çun Mula. Shtëpia me tre kate rrezikonte të zhdukej por për fat të mirë iniciativa e shqiptarëve  që jetojnë në SHBA duke mbledhur shumën prej 300 mijë dollarësh,  bëri që kulla e Çun Mulës të marrë rrugën për tu shndërruar në një muze të mirëfilltë. Arkitekti Zef Çuni i cili është marrë me hartimin e projektit, tregon se është ruajtur origjinaliteti i saj dhe restaurimi po kryhet sikur të ishte monument i kategorisë së parë.

“Gjatë hartimit të projektit unë kap pasur parasysh që objektin ta ruajmë në origjinalitetin e tij dhe të restaurohet siç mund të ishte një monument i kategorisë së parë. Janë ruajtur çdo element dhe janë zbuluar element arkitektonik prej guri dhe të gjitha korniza dhe harqet prej guri”, thotë arkitekti Zef Çuni.

Stërnipi i Çun Mulës, Emir Bajraktari 85 vjeç, thotë se ky është një lajm i mirë dhe i është mirënjohës gjithsecilit që ka kontribuar në mbrojtjen e vlerave historike e kulturore.

”Ka kenë një shtëpi që ka drejtu tan Malësinë e Madhe. Ka kenë njeri atdhetar, i dashur, i komunikueshëm”, thotë stërnipi i Çun Mulës Emir Bajraktari.

Shumica prej relikeve që i përkisnin dikur shtëpisë së Çun Mulës janë zhdukur në kohën e komunizmit, ndaj kjo shtëpi muze do të pasurohet me sende që përfaqësojnë  pasurinë kulturore materiale të trevës së Malësisë së Madhe.

Mbi 1200 metra katror sipërfaqe ne tre kate, bashke me çatinë po rikonstruktohen komplet. Gjithashtu, po rinovohet edhe oborri me parkingun dhe ndarjet ndihmese te saj. Rikonstruksioni i kullës së Çun Mulës  pritet ta kthejë zonën në një atraksion për vizitorët. Si delegat i Kuvendit të Lidhjes së Prizrenit, Çun Mula kishte rrol të rëndësishëm në drejtimin e vullnetarëve të Lidhjes, të cilët luftuan kundër Malit të Zi në mbrojtje të Plavë e Gucisë në vitin 1879 dhe Hotit e Grudës, në vitin 1880.

Gazetar M.Rakaj

/RTSH/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme