Turizëm historik në Lezhë, mbi 14 mijë turistë vizituan memorialin e Skënderbeut

Sociale | 3 vite më parë

Krahas turizmit bregdetar Lezha po zhvillon dhe turizmin historik. Vizitorët e turistët e shumtë, që nuk rreshtin thuajse gjatë gjithë vitit, paraqesin interes  të veçantë për tu njohur me historinë e lavdishme që ka ky qytet, e cila kulmon me besëlidhjen e Lezhës të 2-marsit 1444, udhëhequr nga Heroi ynë Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu.

Memoriali i heroit është vendi që vizitohet nga shumë turistë të huaj, ku këtë vit ka pasur një numër më të lartë se vitet e tjera.

Siç bën të ditur përgjegjësi i këtij memoriali, Paulin Zefi, për 8- mujorin e këtij viti, ky objekt historik është vizituar nga 14.170 turistë e vizitorë.

“Muajin gusht e kemi mbyllur me 14.170 turistë e vizitorë kryesisht shtetas nga Kosova dhe nga vendet e huaja mund të veçojmë ato nga Europa Qendrore pasi ato mbajnë vendin e parë, pra kryesojnë listën. Jashtë kontinentit, grupin më të madh të turistëve e përfaqësojnë turistët nga Izraeli”, u shpreh Zefi. 

Me punën e mirë që bën Bashkia Lezhe në mirëmbajtjen e memorialit dhe të mjedisit rreth tij, ku është në përfundim dhe lulishtja e re, për muajt korrik e gusht të këtij viti, krahasuar me të njejtën periudhë të vitit të kaluar, numri i vizitorëve e turistëve të huaj është rritur me 45.5 për qind.

Përgjegjësja e një grupi turistësh nga Belgjika, duke vizituar memorialin shprehet se çdo gjë këtu është e mirëmbajtur në mënyrë të shkëlqyer.

Dhe ajo që të tërheq vëmendjen është historia e heroit, ku Skënderbeu mbetet një personalitet  i madh dhe figurë e ndritur e historisë shqiptare, aq sa dhe pas kaq shekujsh emri dhe vepra e tij vazhdojnë të jenë të pranishme edhe sot tek çdo shqiptar kudo qe jeton, por dhe tek turistët që e vizitojnë këtë vend.

Një tjetër turisti i bën përshtypje restaurimi dhe ruajtja shumë e mirë e vendvarrimit të heroit, ku Lezhën e quan me fat të madh që e ka këtë objekt me vlera të çmuara historike.

Me një trend ne rritje, memoriali i Heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu në Lezhë, vijon të vizitohet nga shumë turistë e vizitorë.

Gazetar: Rr. Leçaj

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme